image SBASHK-u hedh poshtë propozimin e Golës, ai shpjegon mesazhet e “çuditshme” që iu dërguan shkollave

Arsim

SBASHK-u hedh poshtë propozimin e Golës, ai shpjegon mesazhet e “çuditshme” që iu dërguan shkollave

news image

Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka thënë se propozimi i tij, i dhënë sot, që të ndalet greva dhe mësimdhënësit të shfrytëzojnë mekanizma të tjerë për t’i bërë presion qeverisë, është refuzuar nga SBASHK.

Gola, në “DPT te Fidani” ka thënë se refuzimi i SBASHK është kategorik dhe i barrikaduar. Ai e ka quajtur të çuditshëm refuzimin e SBASHK nëpërmjet takimit online që e kishin këtë mbrëmje.

“Është refuzim kategorik, i pamëdyshje dhe goxha do të thoja i barrikaduar. Ne mund ta kontestojmë metodologjinë si i kanë mbledhur ato të dhëna. Një refuzim goxha i çuditshëm i propozimit aspak politik, aspak taktizues, por i sinqertë”, ka deklaruar ai.

Gola i ka parë me dyshim mesazhet që udhëheqësit e SBASHK-ut i kanë dërguar nëpër shkollat e Kosovës, ku propozimi i tij paraqitet edhe si propozim i ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se kjo mund të jetë bërë për të krijuar pyetje sugjestive te anëtarët sindikalë në nivele komunale.

“Ata i kanë shpërndarë në komuna, kush është për propozimin e Ardian Golës. Ata e kanë futur edhe Hekuran Muratin, ai s’ka bërë asnjë propozim të tillë, por kush e di se si… Ato mesazhe janë në atë mënyrë që propozimi im të duket i orkestruar politikisht, që me futë pyka dhe përçarje në grevën e sindikalistëve”, ka thënë ai.

Propozimi i Golës sot në komision, ishte që SBASHK të ndërpres grevë dhe të përdor mekanizmit e mos-notimit të nxënësve, si presion ndaj Qeverisë së Kosovës për t’i plotësuar kërkesat e tyre.

Gola ka thënë se propozimi i tij nuk ishte i koordinuar me kryeministrin Albin Kurti, por ishte i diskutuar me anëtarët e komisionit që e drejton.

“Unë nuk jam koordinuar me kryeminsitrin Kurti, absolutisht jo. Ishte vullnet nga ana ime dhe i diskutuar edhe nga komisioni”, ka thënë ai.

Qëndrimet e kryeminsitrit Kurti janë parimore, ka vlerësuar Gola, ngase sipas tij, ai po mbron interesin e përgjithshëm, duke e pasur të pamundur të plotësojë kërkesat e vetëm një sektori.

/GazetaSinjali/