image SBAShK-u dhe Asociacioni i Komunave kërkojnë që viti i ri shkollor të fillojë sa më parë, qoftë edhe online

Arsim

SBAShK-u dhe Asociacioni i Komunave kërkojnë që viti i ri shkollor të fillojë sa më parë, qoftë edhe online

news image

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media deklaroi sot se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka rekomanduar që masat për shkollat të vazhdojnë edhe më tutje, raporton Gazeta Sinjali.

Mirëpo, kjo gjë po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), të cilët po kërkojnë që viti i ri shkollor të nis sa më parë.

Ymer Ymeri, koordinatori për organizim të brendshëm në SBAShK, tha për Sinjalin se viti i ri shkollor duhet të nis sa më shpejt dhe në qoftë se nuk ka asnjë mundësi për mësim në prezencë fizike, të paktën të fillojë mësimi online ose ai i kombinuar.

Ndonëse mësimi online nuk po vlerësohet shumë i efektshëm, Ymeri thotë se është shumë më i frytshëm se sa humbja e orëve mësimore për gati një muaj.

“Na kemi me insistu që mësimi, edhe në qoftë se asessi nuk lejohet me u mbajt në objekt shkollore, mësimi së paku të fillojë nga distanca, ose kemi me tentu me e bë një zgjidhje, ndoshta me fillu klasa e parë dhe e dytë, ose klasa e pestë dhe e gjashta nëpër shkolla, ose klasë të tjera, sepse me të vërtetë humbja e një muaji mësimi, është një humbje që goxha vështirë ka me u kompensu.”

“Megjithatë, institucionet e shëndetit publike nëse ata vlerësojnë që asessi nuk bën në shkolla, së paku duhet me shiqu mundësinë, sepse Ministria e Arsimit ka përgatitur disa skenarë, në mesin e tyre është skenari që mësimi të vazhdojë online edhe nëse dikush mendon që mësimi online nuk ka efekt, është shumë më i efektshëm sesa mos me u mbajt”, tha ai.

Ymeri tha se janë në kontakt të përditshëm me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe ministria që ajo udhëheq duhet që të zbatojnë njërin nga skenarët që i ka përgatitur për zhvillimin e procesit mësimor në kohë të pandemisë.

“Kemi me provu me u taku me ministrin e Shëndetësisë, por edhe me ministren e Arsimit. Me ministrin jemi në kontakte pothuajse të përditshme, kemi qenë edhe para dy ditëve në Task Forcën e nivelit qendror. Ministria e Arsimit është e përgatitur që mësimi të fillojë edhe me skenarë të tjerë, ne besojmë që së paku nëse institucionet e shëndetit publik mendojnë se nuk bën me fillu me prezencë fizike, bën edhe nga distanca, përsëri po e them se është më mirë sesa mos me u zhvillu mësimi fare”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tha për Sinjalin se drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit janë shprehur të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor dhe një proces i tillë duhet të fillojë patjetër me cilindo nga skenarët e përgatitur të Ministrisë së Arsimit.

“Ne, dje e patëm takimi e kolegjiumit të drejtorëve të arsimit dhe ata njëzëri konstatuan se janë pjekë kushtet për fillimin e vitit të ri shkollor. Tash, janë katër skenario, sa i përket mundësisë së fillimit të vitit të ri shkollor. Nuk është vetëm prezenca fizike opsion, është edhe mësimi online, është edhe mësimi i kombinuar online dhe prezencë fizike. Ka mundësi edhe për prezencë fizike në ato shkolla ku numri i nxënësve nuk është aq i madh dhe ka mundësi që të zhvillohet mësimi i rregullt. Nuk duhet të merret parasysh vetëm opsioni ose skenaroi me prezencë fizike, ka edhe skenario të tjera.”

“Sot është dita e dhjetë që fëmijët janë duke e humbur mësimin. Nëse IKShPK mendon se prezenca fizike mund të ndikojë në rritjen e numrit të të infektuarve, atëherë duhet të merren parasysh opsionet ose skenariot e tjera. Komunat janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor, kjo është theksuar edhe nga gjithë drejtorët e Arsimit në takimin e djeshëm.”

Ibrahimi tha se janë duke pritur që nesër të takohen me ministrin Vitia dhe se kërkesa e tyre është që të lejohet puna brenda lokaleve të gastronomisë.

“Ne jemi duke pritur takim me ministrin Vitia. Shpresoj se nesër mund të ndodhë një takim i tillë, sepse gjithmonë para marrjes së vendimeve për ndryshimin e masave, kemi takime me ministrin Vitia dhe kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës është që të lejohet puna brenda lokaleve të gastronomisë, me certifikatën e vaksinimit, që i ka marrë parasysh edhe niveli qendror dhe ajo do të fillojë të zbatohet nga e hëna”, përfundoi ai.

Fillimi i vitit të ri shkollor fillimisht u shty deri më 14 shtator, për t’u pezulluar sërish nisja e tij deri më 26 shtator, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektimit dhe të vdekjeve nga COVID-19.

Mirëpo, sot, ministri i Shëndetësisë njoftoi se IKShPK e ka rekomanduar që masat për shkolla të vazhdojnë ende.

I pari i Shëndetësisë po ashtu bëri të ditur se që nga e hëna, qytetarët e pavaksinuar nuk do të lejohen të hynë në kafene e restorante. Hyrja në ambiente të mbyllura do të bëhet vetëm në qoftë se ata prezantojnë certifikatën e vaksinimit ose testin negativ PCR./Gazeta Sinjali/