image SBASHK: Të zgjidhet çështja e pagave për mësimdhënësit në Viti, përndryshe nuk përjashtojmë grevat

Arsim

SBASHK: Të zgjidhet çështja e pagave për mësimdhënësit në Viti, përndryshe nuk përjashtojmë grevat

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka bërë thirrje për zgjidhje urgjente të çështjes së pagave të mësimdhënësve në komunën e Vitisë.

Në një njoftimin e SBASHK-ut, shprehet shqetësimi për vonesën e pagave ndaj disa mësimdhënësve, duke theksuar se ky problem është zgjidhur për pjesën tjetër të vendit, por jo për komunën e Vitisë.

“SBASHK iu gëzua lajmit se u krijua mundësia për procedimin e pagave të punëtorëve të arsimit, por kjo gjë nuk ndodhi për punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë, të cilët padrejtësisht ende kanë mbetur pa pagën e muajit shtator”, thuhet në njoftim.

Sindikata i ka bërë apel Ministrisë së Financave dhe institucioneve qendrore e lokale që të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që pagat të procedohen pa vonesë.

SBASHK paralajmëroi se nëse nuk merren masa, do të mbështesë veprimet sindikale të mësimdhënësve në Viti.

“Nëse kjo nuk ndodh, SBASHK në nivelin qendror do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e nivelit komunal sindikal për Vitinë, Kemajl Bislimi, dhe do të mbështes çdo veprim të tyre, përfshirë edhe grevën”, shkruhet në njoftim.

/GazetaSinjali/