image SBASHK: Punëtorët e arsimit të përkushtuar në realizimin e misionit të tyre

Kosovë

Komunikatë/ SBASHK: Punëtorët e arsimit të përkushtuar në realizimin e misionit të tyre

news image

Të gjendur në një situatë të re nga 11 marsi, punëtorët e arsimit nuk e kanë harxhuar kohën kot sipas SBASHK-ut, por kanë krijuar rrjete komunikimi me nxënësit dhe prindërit duke vazhduar procesin mësimor në rrethana të reja.

Ky komunikim po mundëson që të bashkëbisedohet për njësitë mësimore të përgatitura nga MASHTI e që po prezantohen në RTK, por janë të shumta rastet kudo në Kosovë që edhe mësimdhënësit po përgatisin njësi mësimore sipas planit dhe ato po i plasojnë në rrjete sociale duke komunikuar në të njëjtën kohë me nxënësit e tyre për të dhënë edhe detyra e duke i kontrolluar ato.

SBASHK-u thotë se është në takime të vazhdueshme nga larg me stafin qendror, por edhe me veprimtarë sindikal nga Arsimi Parauniversitar dhe Universitetet duke u dhënë mbështetje e duke përgëzuar gjithë punëtorët e arsimit që edhe në rrethana të vështirësuara, nuk janë larguar për as një moment nga misioni i tyre i shenjtë, por vazhdojnë punën me përkushtim e zell duke i dhënë forcë e vlerë trekëndëshit të famshëm mësimdhënës-nxënës-prindër e duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit edukativ e arsimor.

SBASHK-u thotë se mban takime të përditshme nga larg me stafin qendror dhe me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve, por për të qenë sa më afër kolegëve tanë kudo në Kosovë ka nisur me takimet nga larg edhe me kryetarët e shoqatave sindikale.

“Në një takim të tillë me veprimtarët sindikalë nga Vitia është zhvilluar një bashkëbisedë e frytshme dhe SBASHK përgëzon kolegët tanë nga kjo komunë që po bëjnë angazhime të mëdha e po shënojnë arritje të shumta duke zhvilluar procesin mësimor nga larg me nxënësit e tyre. Takimet e tilla do të vazhdojnë fillimisht me kolegët sindikalistë nga komunat që janë më të prekura nga koronavirusi në mënyrë që bashkërisht të shtrojnë ide e të angazhohemi në kryerjen e misionit të shenjtë të mësuesit edhe në këto kohë të vështira”, thuhet në komunikatë.

Punëtorët e arsimit vijon SBASHK- janë dëshmuar në të kaluarën e po dëshmohen edhe tani se qëndrojnë në ballë të angazhimeve duke realizuar misionin e tyre dhe obligimin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave pavarësisht sfidave dhe vështirësive të kohës.

SBASHK-u në kuadër të angazhimeve në shërbim të arsimit në këto rrethana të reja është duke komunikuar me psikologë e pedagogë shkollash me qëllim që bashkërisht të krijojnë mundësi që prindërit të komunikojnë me ta nga larg për të marrë përgjigje profesionale për çështje të veçanta.