Menaxheri financiar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, Ymer Ymeri, tha se sindikata nuk do të mbajë grevë apo bojkotim nëse nuk paguhen shtesat, por këtë gjë do ta kërkojë përmes gjykatës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kemi bërë shkresën e parë më 1 prill, më pas të dytën e më pas një shkresë publike. Nëse gjatë këtyre ditëve nuk kemi përgjigje për takim atëherë do të procedojmë në gjykatë që të realizojmë të drejtën përmes gjykatës, siç po realizojmë edhe për pagat jubilare, shujtën e gjitha çështjet tjera. Fatkeqësisht jemi duke i realizuar përmes gjykatës, e po ka një ngarkesë shtesë 20-30 për qind për buxhetin e Kosovës”, tha Ymeri.
Ai tha se kanë kërkuar dy herë takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, por që deri tash nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
“Kërkesat tona janë vetëm të zbatohet vendimi i Qeverisë që ka marrë për çështjet arsimore. Kërkesa e drejtuar Hekuran Muratit, ministrit të Financave, ka qenë kërkesë për takim për të sqaruar çështjen e mospagesës së shtesave për punëtorët e Arsimit për muajin mars dhe prill sipas vendimit të Qeverisë, në të cilin është ndarë një shtesë për të punësuarit në arsim për shkak të rrezikshmërisë së zhvillimit të punës në kohë të pandemisë. Është realizuar kjo shtesë vetëm në shkurt nga ish-Qeveria. Ndërsa nuk është vazhduar në muajin mars e prill. Kemi dashur të bisedojmë, nuk e dimë arsyet pse ministri nuk i është përgjigjur”, tha ai në KTV.
Sipas tij, ata po kërkojnë vetëm ato se çfarë janë dakorduar me Qeverinë, pra shtesat për muajin mars dhe prill për rrezikshmërinë e punës në kohën e pandemisë.
“Ne do të presim deri më 15 maj të shohim a pasqyrohen ndryshimet e më pas do të procedojmë në gjykatë. Nuk do të marrim hapa sindikal në këtë situatë pandemie, nuk duam të dëmtojmë procesin arsimor, duke e marrë parasysh shkurtimin e orëve e humbjen e orëve mësimore”, tha ai.
Ymeri ka thënë se nga Pako Emergjente e aprovuar nga Qeveria në vlerë afro 300 milionë kërkesa e tyre është vetëm 2-3 për qind e atij buxheti. Ai thotë se derisa Qeveria ka ndarrë mjete edhe për të punësuarit në sektorin privat, universitete private, ku nuk kanë humbur asgjë pasi që studentët kanë paguar kostot e tyre, kanë paguar punëtorët arsimorë në institucione private e nuk kanë paguar në ato të shtetit.
Ymeri ka thënë se duhet pasur parasysh se është rritur për 35 për qind vëllimi i orëve për mësimdhënësit gjatë kësaj periudhe, duke marrë parasysh se po punojnë në dy grupe.
“Ndonëse orët janë shkurtuar në 30 minuta, duhet llogaritur se kur klasa ndahet në dysh e bëhen 40 orë mësimore, janë 1200 minuta, nga 900 minuta sa kanë qenë normalisht. Në javë pra 300 minuta më tepër, që i bie 35 për qind. Në suaza normale duhet kërkuar kompensim”, ka thënë Ymeri.
Ymeri po ashtu ka reaguar duke thënë se deklarimet e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se mësimdhënësit duhet të jenë me fat që nuk kanë humbur vendet e punës janë kërcënime.
Ai i ka bërë thirrje që të ndalojë me kërcënimet.
“Ne mendojmë se përmes këtij reagimi, e përmes reagimit që thotë se duhet me qenë me fat punonjësit e Arsimit pse janë të punësuar, është një lloj kërcënimi nga ministrja Nagavci se ata mund të mbesim pa punë. Derisa përsëritet dy herë kjo atëherë është kërcënim. Nuk pranojmë asnjëlloj kërcënimi. Kërkesat nuk janë kërcënim. Kërkojmë zbatimin e kërkesave. Ajo ka menduar të na frikësojë, por e ka të pamundshme. Apeloj të bashkëpunojmë siç kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm në komision për arsim sa ishte në opozitë. Ministrja Nagavci e gjithë tjerët duhet të jenë të kujdesshëm me deklarata publike të mos dëmtojnë procesin mësimor”, ka thënë Ymeri./Gazeta Sinjali/