Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Bashkimi Europian duhet të mbajë zotimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i hequr regjimin e vizave Kosovës dhe duke hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Hapja negociatave për anëtarësim [me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut] dhe liberalizimi i vizave [për Kosovën] janë të rëndësishme në këto momente historike, si dhe nënvizojnë besueshmërinë e BE-së”, ka thënë Sarrazin gjatë një forumi në Serbi.
Ai tutje shtoi se kur diskutohet çështaj e liberalizimit të vizave, shteti i tij është i gatshëm për të siguruar një përgjigje konkrete.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën është i rëndësishëm sepse nënvizon besueshmërinë e BE-së. Ne s’duhet ta humbim kurrë këtë mundësi”, tha emisari gjerman.
Sarrazin po ashtu shtoi se integrimi në BE gjithashtu nënkupton përafrim me vendet e Ballkanit Perëndimor me sigurinë e përbashkët dhe politikën e jashtme të BE-së.
Emisari gjerman sot është pritur në Serbi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.