Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci ka deklaruar se i kanë ofruar disa herë të dëshmojë kundër disa personave që janë tash në krye të shtetit.
Geci thotë se gjatë kohës sa po gjykohej i kanë ofruar që të dëshmojë kundër presidentit, Hashim Thaçi, kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj e disa personave të tjera.
“Kundër Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, më kanë ofruar të dëshmoj diçka”, ka thënë Geci.
Tutje, Geci shton se nëse ai jepte dëshmi, i kishin premtuar se do të kishte benefite.
“Shiko me familje ku po do me shku, me i pas krejt beneficionit. Unë thojsha po du në Dubai, më thojshin okej edhe në Dubai, thojsha okej në Dubai të Dubravës”, deklaron ai, duke pohuar se asnjëherë nuk ka dëshmuar pavarësisht ofertave që i kishin bërë.
Sabit Geci është intervistuar sot nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë.
Geci është mbrojtur në heshjte, këtë e ka konfirmuar për media avokati i tij, Tahir Rrecaj.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Sabit Geci, kishte marrë ftesë nga Specialja me seli në Hagë në dhjetor të vitit që lamë pas. /Gazeta Sinjali/