55 subjekte politike janë duke funksionuar aktualisht në Kosovë, përderisa 52 prej tyre figurojnë edhe në listën zyrtare të KQZ-së. Tri partitë e tjera kanë pak ditë ‘jetë’ dhe nuk janë përditësuar ende në listën e KQZ-së, raporton Sinjali.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 8 gusht të këtij viti kishte regjistruar tri parti të reja. Milaim Zeka ndonëse është tash e disa vjet në skenën politike, ai këtë muaj regjistroi partinë e tij të re, Partia Euroatlantike e Kosovës.
Po në të njëjtën ditë, “Partia Balliste” u regjistrua në KQZ si parti politike si dhe Partia Demokratike e Diasporës që përfaqësohet nga Shqipe Islami.
Që nga 8 gushti, në Kosovë figurojnë zyrtarisht 55 parti politike, por të cilat nuk dihet nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit. Dy ditë më parë nuk ishte certifikuar asnjë subjekt politik për zgjedhjet e ardhshme.
Partitë e para ishin regjistruar në KQZ më 21 gusht të vitit 2000. 11 subjekte politike të Kosovës ishin regjistruar në atëkohë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Drejtësisë, Partia Demokratike Turke, Evropska Stranka Demokratske Kosova, Partia e të Gjelbërve të Kosovës, Partia Liberale e Kosovës, Partia Nacionale Demokratike Shqiptare, Partia Socialdemokrate, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës dhe Stranka Demokratske Akcie, janë partitë e para që ishin regjistruar në Kosovë.
Dy ditë më parë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i ka thënë Sinjalit se asnjë parti politike nuk është certifikuar për zgjedhjet e 6 tetorit. Afati për certifikim të subjekteve politike mbaron më 6 shtator, atë ditë kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore.
“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve që duan të marrin pjese në zgjedhje nuk është përmbyllur akoma. Prandaj, ne nuk e dimë akoma se sa subjekte politike do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit”.
“Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve përmbyllet me 6 shtator në orën 24:00”, ka deklaruar Elezi.
Por mbrëmjen e djeshme ka përfunduar afati në KQZ, për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Katër koalicione janë dorëzuar në ditën e fundit për këto zgjedhje.
15 minuta para mesnatës dy parti serbe kanë nënshkruar koalicion për zgjedhjet e 6 tetorit. Marrëveshje për koalicion kanë arritur edhe Nisma, AKR e PD. Koalicioni tjetër që u certifikuan në KQZ është mes AAK-së dhe PSD-së si dhe koalicioni tjetër i komunitetit boshnjak, VAKAT.
Kohë më parë kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje me arsyetimin se është ftuar nga Gjykata Speciale. Menjëherë deputetët me 89 vota shpërndanë Kuvendin e Kosovës duke i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka caktuar 6 tetorin, datë kur do të mbahen zgjedhjet./Sinjali/