image Rutte konfirmon: Samiti i NATO-s 2027 do të mbahet në Tiranë

Shqipëri

Rutte konfirmon: Samiti i NATO-s 2027 do të mbahet në Tiranë

news image

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se Samiti i ardhshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të zhvillohet në Tiranë gjatë vitit 2027.

Konfirmimi u bë të mërkurën gjatë një konference për media pas punimeve të Samitit të NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare diskutuan mbi sigurinë euroatlantike, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sfidat aktuale të aleancës.

Më herët, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte bërë të ditur se Shqipëria do të jetë mikpritëse e samitit të vitit 2027, ndërsa deklarata e Rutte e vulosi zyrtarisht vendimin.

Mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë konsiderohet një moment historik për Shqipërinë, pasi do të jetë hera e parë që vendi pret ngjarjen më të rëndësishme politike të aleancës ushtarake.

Pas konfirmimit, Rama reagoi përmes një videoje në rrjetet sociale, duke ironizuar pretendimet se samiti nuk do të organizohej në Shqipëri.

“Ka ikur ajo kohë kur me Shqipërinë bëhej çfarë të donin të tjerët. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që Samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, u shpreh Rama.

Samiti i vitit 2027 pritet të mbledhë në kryeqytetin shqiptar krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe delegacione të nivelit të lartë, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit euroatlantik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/