Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se vendi është përballur me sulmin më të madh ukrainas deri më tani, duke pretenduar se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 660 dronë që kishin në shënjestër 12 rajone, përfshirë edhe Krimenë.
Sipas autoriteteve ruse, sulmet kanë shkaktuar dëme në disa zona, përfshirë shkatërrimin e një shtëpie në rajonin e Tulës dhe dëmtime në infrastrukturë energjetike dhe objekte industriale.
Guvernatori i Tulës ka konfirmuar se një grua është plagosur, ndërsa raportohet për dëme edhe në një linjë elektrike dhe një objekt të paidentifikuar në qytetin Novomoskovsk, ku mediat e pavarura pretendojnë se janë goditur edhe një fabrikë kimike dhe një hidrocentral.
Nga ana tjetër, zyrtarët ukrainas kanë raportuar sulme të vazhdueshme ruse në disa rajone, përfshirë Harkivin, Odesën dhe Sumyn, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë civile.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!