Ushtria ruse vazhdoi sulmet mbi objektivat kryesisht civile në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi ushtria ukrainase në përditësimin e saj të përditshëm më 3 janar.
Ky njoftim erdhi një ditë pasi ushtria ruse pranoi humbje të mëdha në një nga sulmet më vdekjeprurëse të Kievit që nga fillimi i luftës 10 muaj më parë.
Njoftimi tha se ushtria ruse kishte nisur gjashtë raketa dhe 52 sulme ajrore, si dhe 77 sulme nga sistemet e raketave.
Të gjashtë sulmet me raketa dhe 30 nga sulmet ajrore kishin në shënjestër infrastrukturën civile, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Forcat ukrainase rrëzuan gjithashtu 27 drone iraniane Shahed të nisur nga forcat ruse, thuhet tutje në njoftim.
Ushtria ruse nisi një sulm me raketa në arenën e hokejit në akull në Druzhkivka, në rajonin e Donjeckur. Klubi i hokejit, Donbas, ish-kampion i ligës më të mirë të hokejit në akull të Ukrainës, kishte luajtur atje.
Ndihmësi i presidentit ukrainas, Kyrylo Tymoshenko shkroi në Telegram se dy persona ishin plagosur në sulmin me raketa ruse në Druzhkivka. Ai shtoi gjithashtu se një raketë ruse kishte goditur fshatin e afërt Yakovlivka.
Rusia duket se ka rritur sulmet ajrore kundër objektivave civile në kryeqytet, Kiev dhe qytete të tjera ditët e fundit.
Ajo po planifikon një fushatë të zgjatur sulmesh me dronë iranianë për të “shteruar” Ukrainën, tha Presidenti Volodymyr Zelensky më 2 janar.
“Ne kemi informacione se Rusia po planifikon një sulm të zgjatur duke përdorur dronët Shahed”, tha Zelensky në fjalimin e tij me video gjatë natës.
“Kjo është ndoshta e lidhur me rraskapitjen. Për të rraskapitur njerëzit tanë, mbrojtjen tonë kundërajrore, energjinë tonë”, tha ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 2 janar se 63 ushtarë rusë u vranë në një sulm ukrainas në rajonin lindor të Donjeckut.
Ukraina tha se numri i të vdekurve rusë në Makiyivka ishte në qindra, megjithatë zyrtarët pro rusë e quajtën këtë një ekzagjerim.
Blogerët ushtarakë rusë, thanë se municionet e zbuluara afër objektit kishin shpërthyer në sulm dhe kontribuan në numrin e madh të viktimave.