image Rudari skeptik: Do ta kemi të vështirë t’i bindim qytetarët që të jenë pjesëmarrës në ditën e votimit

Kosovë

Rudari skeptik: Do ta kemi të vështirë t’i bindim qytetarët që të jenë pjesëmarrës në ditën e votimit

news image

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, po e kundërshton mbylljen totale të vendit, pavarësisht se është rënduar situata me pandeminë në këtë komunë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se rastet me koronavirus në këtë komunë, ashtu sikur edhe në gjithë vendin, janë duke u rritur dukshëm dhe se gjendja paraqitet e rënduar.

Rudari thekson se që nga fillimi i pandemisë, në komunën e Podujevës, janë regjistruar rreth 1 mijë raste me koronavirus dhe se 248 prej tyre janë aktive, kurse 29 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.

“Gjendja në komunën e Podujevës paraqitet e rënduar. Në Republikën e Kosovës dhe në rajon, është rritë numri pothuajse në mënyrë eksponenciale i të prekurve me Covid-19. Vetëm deri më sot, kemi diku rreth 1 mijë raste, prej ditës së parë prej 15 marsit, prej tyre 679 janë të shëruar, 248 raste aktive dhe fatkeqësisht 29 kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-it. Pra është një gjendje bukur shqetësuese edhe për neve si qeveri lokale edhe për qendrat e mjekësisë familjare dhe sigurisht edhe për qytetarët e Kosovës”, tha Rudari.

Megjithëkëtë, Rudari që vjen nga partia e njëjtë me kryeministrin Hoti, thotë se një mbyllje e sërishme do të kolapsojë bizneset në përgjithësi, e sektorin e gastronomisë në veçanti.

Ai thotë se një shqetësim të tillë ia kanë përcjellë së bashku me kryetarët e tjerë të komunave edhe ministrit Zemaj.

“Sigurisht nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se t’i respektojmë masat që i merr qeveria, edhe pse edhe në konferencën, takimin online që kemi pasur me ministrin e Shëndetësisë edhe unë si ushtrues detyre të kryetarit të komunës, por edhe disa kryetarë të tjerë e kanë kundërshtuar mbylljen totale. E kanë rekomanduar ministrin që të merren masa të tjera, në bashkëpunim me qeverisjen lokale dhe me qytetarët, t’i zbatojmë masat në përpikëri në mënyrë që të mos vie deri të mbyllja totale. Unë konsideroj se nëse shkojmë deri te mbyllja totale, atëherë bizneset në radhë të parë, gastronomia veç do të kolapsojë sepse ata edhe kështu janë në një situatë tepër të rëndë. Apeloj që qeveria dhe bizneset e vogla siç janë kafeteritë, gastronomia, t’i ndihmojë sigurisht pasi të votohet pakoja për rimëkëmbje ekonomike”, thotë ai.

Rudari që është edhe kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune, vë në pikëpyetje edhe zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të këtij muaj.

Ai thotë se do ta kenë shumë të vështirë që në këtë situatë t’i bindin qytetarët që të dalin te kutitë e votimit, për shkak të frikës ndaj Covid-19.

“Ne si subjekt politik dhe unë si kandidat, jemi duke u përgatitur gjithsesi për zgjedhje sepse ato duhet të ndodhin herëdokurdo, por unë vlerësoj se duhet organet përgjegjëse, relevante siç është Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të vlerësojnë situatën dhe pastaj t’i rekomandojnë Komisionit Qendror Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Me këtë numër që është duke u rritur, unë ndaj shqetësimin me një pjesë të qytetarëve, që do ta kemi të vështirë t’i bindim ata që të jenë pjesëmarrës në ditën e votimit për shkak të frikës që ata kanë me dalë prapë në sipërfaqe për shkak të rritjes se numrit enorm të rasteve”, thotë ai.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës pritet të mbahen më 29 nëntor, ndërsa pos Rudarit postin e kryetarit e synojnë edhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës./Gazeta Sinjali/