Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përmbyllur një vizitë tre-ditore në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese për aleatët e Uashingtonit, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së ndaj diplomacisë me Iranin, por edhe nevojën për marrëveshje që adreson shqetësimet rajonale të sigurisë.
Gjatë takimit ministror të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Bahrejn, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara synojnë një marrëveshje “të mirë dhe jo me çdo çmim” me Teheranin, duke siguruar se partnerët rajonalë do të informohen në çdo hap të procesit negociues.
Ai theksoi se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të trajtojë jo vetëm programin bërthamor të Iranit, por edhe aktivitetet e tij rajonale, përfshirë mbështetjen për grupet e armatosura dhe programin e raketave balistike.
Rubio veçoi si çështje kyçe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se SHBA nuk do të mbështesë asnjë formë tarife apo takse për kalimin në ujërat ndërkombëtare.
“Ne nuk do ta mbështesim, nuk do ta tolerojmë dhe nuk do ta lejojmë,” tha ai, duke theksuar se liria e qarkullimit detar mbetet prioritet strategjik.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Irani ka sinjalizuar mundësinë e vendosjes së “tarifave shërbimi” për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, ndërsa tensionet mbi kontrollin e këtij korridori strategjik mbeten të larta.
Megjithatë, Rubio u shpreh se SHBA do të gjykojë situatën sipas zhvillimeve në terren, duke thënë se kriter kryesor është vazhdimësia e qarkullimit detar.
“Ajo që na intereson është nëse anijet po lëvizin,” u shpreh ai, duke shtuar se çdo ndërprerje e mundshme do të përbënte problem serioz.
Turneu i tij në rajon vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të përkohshme SHBA–Iran, e cila ka ngjallur shqetësime tek disa aleatë të Gjirit për balancën e sigurisë në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!