Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sot kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
”Teksti i rënë dakord tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit”, thuhet mes tjerash në kumtesën e lëshuar.
Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Tutje thuhet se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
”Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave”, specifikohet në njoftim.
Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë mori një tjetër kthesë të papritur në tetor në takimin e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian pas kërkesës së Francës, mbështetur nga disa shtete të tjera, që këtë proces ta ndërlidhë me disa kërkesa të tjera.
Franca kishte kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, sistem ky për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por që i njëjti akoma nuk është funksional.
Përmes këtij sistemi, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tri vjet.
Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.
Hapat deri te liberalizimi i vizave
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.
1. Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën
2.: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën
3. Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe
4. Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.
5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave
6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian
7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet
8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave
9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian
12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe
13. Liberalizimi hyn në fuqi.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen./GazetaSinjali/