image Rruga drejt atdheut që u këput në mes/ Krejt çka dihet për tragjedinë në Kroaci - Sinjali

Rruga drejt atdheut që u këput në mes/ Krejt çka dihet për tragjedinë në Kroaci

news image

Mëngjesi i 25 korrikut u zbardh me një lajm tronditës për vendin. Dhjetë mërgimtarë nga Kosova kanë humbur jetën kurse më shumë se 40 prej tyre janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit të së dielës në Slavonski Brod, në Kroaci, raporton Gazeta Sinjali.

Dhjetë mërgimtarët që humbën jetën dhe të cilët ishin nisur nga Gjermania me autobusin e kompanisë kosovare “Deva Tours”, nuk e dinin se rruga drejt atdheut do t’ju këputej në mes.

Si erdhi deri te aksidenti?

Gazeta Sinjali mëngjesin e së dielës ka raportuar se dyshohej se shoferin e autobusit, Dukagjin Lyta, e ka zënë gjumi, deri sa po voziste.

Një gjë e tillë ishte konfirmuar edhe nga Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic, i cili ka thënë se shoferi i autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani”, tha Pranjiç, shkruan portali kroat Dnevnik.hr.

Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë”, shtoi Pranjiç.

Ndërkaq departamenti i Policisë në qarkun Brod-Posavina në Kroaci pasditen e së dielës ka publikuar një komunikatë nëpërmjet së cilës ka shpjeguar rrethanat e aksidentit tragjik.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana -Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për të marrë trupat e të lënduarve”, thuhet në deklaratë.

Tutje sipas policisë shoferi i autobusit është arrestuar dhe ndaj tij kanë filluar veprimet ligjore.

“Në orën 10.40, shoferi 52-vjeçar i autobusit u arrestua dhe, pas një hetimi penal, do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të kujdestarisë së Administratës së Policisë Brod-Posavina me një kallëzim penal për dyshimin e kryerjes së një vepre penale sipas nenit 227 të Kodit Penal Shkaktimi i aksidentit të trafikut, dhe më pas në zyrën e avokatit shtetëror kompetent”, njoftoi Policia.

Reagimet pas aksidentit

Gazeta Sinjali të dielën e 25 korrikut ka kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Kroaci të cilët konfirmuan se ishin nisur për në vendin e ngjarjes.

“Tani jemi duke u nisë për në Slovenski Bord, aty ku ka ndodhë aksidenti. Asnjë informacion më shumë nuk kemi”, thanë nga stafi i ambasadës.

Mirëpo nisja e tyre për në vendin e aksidentit me 10 viktima ishte bërë pas më shumë se 4 orësh.

Gazeta Sinjali kishte kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mirëpo të njëtit nuk janë përgjigjur në thirrjet e Sinjalit.

Mirëpo rreth shtatë orë pas këtij aksidenti, nga kjo ministri kanë njoftuar se ministrja Donika Gërvalla ka zhvilluar vetëm një bisedë telefonike me homologun e saj kroat, Grliq Radman.

“Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grliq Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, thuhej në komunikatën e MPJD-së.

Ndryshe nga MPJD-ja, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen”, ka shkruar ai në Twitter.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas këtij aksidenti, ku ka njoftuar se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është nisur për në Kroaci.

Krahas Kurtit kanë reaguar edhe kryrparlamentari, Glauk Konjufca, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti Kroat, Zoran Milanoviq, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, kryetari i LDK-së, Lumir Ambixhiku, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, por edhe shumë të tjerë.

Gazeta Sinjali mëngjesin e 25 korrikut  ka provuar që të kontaktojë edhe me ambasadorin Beqë Cufaj për të marrë informacione për mërgimtarët që ishin nisur nga Gjermania në Kosovë, por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se ambasadorët nuk mund t’u përgjigjen gazetarëve, se kështu, sipas tij, bën edhe ambasadori gjerman.

“Jo,jo, jo, jo. Çkado që ke e bisedon me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Me ministri, jo me ambasadorë, provo bre me e thirrë ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, a ta çon telefonin. As se ki as numrin e tij. Mos e teproni bre”, tha Cufaj, duke e mbyllur telefonin.

Kurti me disa ministra nisen për në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në Kroaci së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefin kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela, për të vizituar të aksidentuarit që ndodheshin në spitalin Slavonski Brodit.

Kurti në Kroaci pas vizitës që iu kishte bërë të lënduarve bashkë me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, kanë mbajtur konferencë për media.

“I vizitova pacientët në dhomat e spitalit. Falënderoj profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe angazhimin e pakursyer”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka kujtuar rolin që ka mërgata kosovare në zhvillimin e ekonomik të Kosovës.

“Qindra-mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen për pushime në vendlindje. Shteti dhe mirëqenia jonë, ajo çfarë e kemi, varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tepër e rëndë për ne”, tha ndër të tjera Albin Kurti.

Ndërkaq kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka bërë të ditur se Kroacia do të ndihmojnë në kostot e shpenzimit dhe gjithçka tjetër.

“Nga kostot e qëndrimit këtu, deri tek organizimi i udhëtimit në Kosovë për të gjithë pacientët, sepse duke pasur parasysh situatën, jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje të largohen nga Sllavonski Brod në të njëjtën kohë. Ne do të ndihmojmë gjithçka”, tha kryeministri kroat.

E hëna ditë zie

Presidentja Vjosa Osmani ka shpallur të hënën ditë zie në nderim të qytetarëve të ciët kanë humbur jetën tragjikisht në Kroaci, si dhe njëkohësisht, të hënën ajo udhëtoi nga Japonia në Kosovë.

26 korriku u shënua me uljen në gjysmështizë të flamujve në institucionet shtetërore dhe ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve kulturore.

Emrat e 10 viktimave të konfirmuara

Në mesin e viktimave nga kompania “Deva Tours”, e kanë konfirmuar për Sinjalin se është edhe njëri nga shoferët.

Sinjali ka mësuar se ai është Naser Sylmetaj nga Grecina e Hasit, Komuna e Gjakovës.

Ndërkaq që nga konfirmimi i viktimës së parë e deri më tani janë bërë të ditur emrat e 9 personave të tjerë që vdiqën në këtë aksident.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se deri sot pritet të kryhet autopsia dhe trupat e të ndjerëve të kthehen në Kosovë.

Nga Komuna e Gjakovës janë konfirmuar edhe dy viktima tjera, Erlinda dhe Valentina Binakaj, të cilat ishin nënë e bijë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, mbrëmë ka konfirmuar dy viktimat e aksidentit tragjik nga kjo komunë.

Në mesin e viktimave janë Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe.

Familjarët e Anjezës që nga mëngjesi e deri në mbrëmjen e djeshme nuk dinin gjë për fatin e saj. Madje ata gjatë ditës së djeshme kanë shkuar në Kroaci për të kërkuar informacione për të.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mbrëmë ka konfirmuar për Sinjalin se nga kjo komunë në aksidentin tragjik ka mbetur i vdekur Sevdail Rrushtemi, nga fshati Pakashticë e Komunës së Podujevës.

Ai ishte duke udhëtuar me të njëjtin autobus bashkë me gruan, dy djemtë e tij dhe mbi 60 mërgimtarë të tjerë.

Kurse gjatë ditë së djeshme Komuna e Junikut ka njoftuar se dy gra nga kjo komunë, Leonora Gjota-Kolmekshaj dhe Gjyle Maloku, kanë ndërruar jetë në aksidnetin tragjik në Kroaci.

Edhe Alinda I. nga Peja ishte ndër viktimat e një prej aksidenteve më të rënda që ka ndodhur në Kroaci.

Ajo po udhëtonte me katër nga pesë fëmijët e saj në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë.

Një nga viktimat është edhe Hamet Hoxha, nga fshati Randobravë i komunës së Prizrenit i cili ishte nisur nga Gjermani për të ardhur në Kosovë.

Djali i të ndjerit, Valmiri, tregon se babai Hameti i cili prej shumë vitesh jetonte dhe vepronte në Shtutgart të Gjermanisë, ishte i gëzuar që ishte nisur drejt vendlindjes, pa e menduar se atij dhe disa bashkudhëtarëve tjerë do të iu ndodhte më e keqja.

Reagimi i kompanisë “Deva Tours”

Kompania turistike “Deva Tours”, autobusi i së cilës u përfshi në këtë aksident, ka shprehur ngushëllim për familjet e viktimave, duke thënë se po e përjetojnë me trishtim dhe dhimbje të madhe çdo sekond të tragjedisë.

Kompania ka falënderuar organet shtetërore të Kroacisë dhe Kosovës për gatishmërinë e treguar, duke cekur se mbesin të hapur dhe me besimin e plotë që të zbardhet çdo rrethanë e kësaj ngjarje.

“Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre. Pranë jush me dhimbje te madhe, Deva Tours”, thuhet në shkresë.

Kur pritet të merret vendimi për shoferin e autobusit

Dukagjin Lyta, shoferi i dyshuar për shkaktimin e aksidentit me dhjetë viktima në Slavonski Brod, në Kroaci, u mor në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Shtetit kroat.

Zëvendësprokurori për qarkun e Slavonski Brod, Franjo Kopuniq, tha se Lytës i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare dhe se ai është mbrojtur në heshtje.

“Nuk e morëm mbrojtjen e tij. Do të merret një vendim mbi hetimin. Pas kësaj do të propozohet paraburgimi, mbi të cilën do të vendoset nesër”, tha ai para gazetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Pasi përfundoi intervistimi i tij, shoferi i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Shoferi i autobusit do të dalë sërish para Prokurorisë, sot në orën 09:00, ku do të vendoset për masën e sigurisë ndaj tij.

Sot në mbrëmje nisen për në Kosovë trupat e 10 personave të vdekur në aksidentin tragjik në Kroaci

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se trupat e 10 viktimave të aksidentit të djeshëm do të nisen nesër në mbrëmje.

Janë realizuar 5 autopsi dhe nesër pritet të realizohen edhe 5 të tjera dhe kjo bëhet sipas ligjeve të Kroacisë dhe në momentin që kryhen do të jemi të gatshëm dhe kjo besoj që mund të ndodhë nesër në mbrëmje dhe pastaj është çështje e udhëtimit deri sa të mbërrijnë në Kosovë”, tha Sveçla në RTV Dukagjini./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin