Numri i rasteve të reja me COVID-19 brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, shkoi në 1 mijë e 765, shifër rekord që nga fillimi i pandemisë.
Ky numër alarmoi edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, i cili thirri në takim krerët e institucioneve shëndetësore të vendit dhe hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19.
Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kanë njoftuar se në këtë takim janë vendosur masat e reja antiCOVID.
Sipas vendimit të fundit, nga 20 gushti deri më 1 shtator do të mbyllen klubet e natës dhe do të kufizohet orari i punës për sektorin e gastronimisë.
“Për fat të keq pas ngritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19, me datë 20.08.2021 do të dalin vendime të tjera kufizuese. Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150. Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021.Të gjithë Restorantet ditore , kafeteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30.Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike”, thuhet në njoftimin e kësaj ode./Gazeta Sinjali/