image Rritet presioni ndaj shefit të Facebook-ut, 140 shkencëtarë i kërkojnë që ta ndëshkojë Trumpin

Botë

Rritet presioni ndaj shefit të Facebook-ut, 140 shkencëtarë i kërkojnë që ta ndëshkojë Trumpin

news image

Më shumë se 140 shkencëtarë që financohen nga Mark Zuckerbergu, kanë thënë që Facebook-u nuk duhet ta lejojë presidentin amerikan Donald Trump, që ta përdorë platformën e mediave sociale për të “shpërndarë dezinformata dhe deklarata nxitëse”.

Hulumtuesit, që përfshijnë më shumë se 60 profesorë në institutet kërkimore më në zë në SHBA, dhe një laureat i çmimit Nobel, i kanë dërguar letër drejtorit ekzekutiv të Facebook-ut gjatë ditës së sotme duke i kërkuar që të “konsiderojë politika më strikte mbi dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes që lëndon njerëzit”, veçanërisht gjatë protestave të fundit mbi padrejtësitë racore, shkruan The Guardian.

Letra quan shpërndarjen e “dezinformatave të qëllimshme dhe gjuhës përçarëse” të përkundërt me qëllimet e hulumtuesve për përdorimin e teknologjisë në parandalimin e sëmundjeve, rritjen e arsimimit të fëmijëve dhe reformimin e sistemit juridik kriminal.

Misioni i tyre është “antitetik me disa prej qëndrimeve që Facebook-u po i merr, kështu që ne inkurajojmë që të jeni më shumë në anën e së vërtetës dhe të së drejtës në histori, siç kemi thënë në letër,” tha Debora Marks e Shkollës Mjekësore të Harvardit.

Organizatorët e kësaj letre thanë se ajo i kishte mbi 160 nënshkrues.

Në një postim, Donald Trump kishte thënë që “kur nisin grabitjet, fillojnë edhe të shtënat”, duke aluduar në dhunën policore si kundër-përgjigjje ndaj protestave. Sipas autorëve, ky postim bënte thirrje të qartë për dhunë.

Zuckerbergu është përballur me kritika të ashpra edhe nga vetë stafi i Facebook-ut pasi nuk ndërmori asnjë veprim kundër Donald Trumpit./ Gazeta Sinjali/