image Rritet numri i të pashkolluarve që kërkojnë punë, asnjë punëkërkues me doktoratë

Sociale

Rritet numri i të pashkolluarve që kërkojnë punë, asnjë punëkërkues me doktoratë

news image

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e parë (TM1) të këtij viti ka pasur një rënie të punëkërkuesve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas ASK-së, gjatë muajit mars të këtij viti, numri total i punëkërkuesve ishte 109 mijë e 436 persona, nga të cilët, punëkërkues të gjinisë femërore kanë qenë 50 mijë e 542 persona, ndërsa 58 mijë e 594 persona kanë qenë punëkërkues të gjinisë mashkullore.

“Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2020, vërejmë se ka një rënie të numrit të punëkërkuesve në këtë vit. Në muajin mars të vitit 2020, kishte gjithsej 114 mijë  e 439 persona që kanë kërkuar punë në Agjencinë e Punësimit, nga të cilët, 50 mijë e 344 persona kanë qenë punëkërkues të gjinisë femërore, ndërsa pjesa tjetër, prej 64 mijë 95 persona kanë qenë meshkuj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Më tutje, nëse krahasohen shifrat, duke u bazuar në aspektin e kualifikimit, ASK njofton se në vitin 2020 më së shumti kishte punëkërkues të pashkolluar, ku shifra totale në muajin mars arrinte në 40 mijë e 265 persona, derisa në po të njëjtin muaj të këtij viti ka një rritje të kësaj shifre, ku shifra totale te personave të pashkolluar që kanë kërkuar punë është 47 mijë e 994 persona.

Derisa ka një shifër kaq të lartë të personave të pashkolluar që kërkojnë punë, në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të ASK-së, nuk ka pasur asnjë shpallje për punë që të ketë vlejtur edhe për këtë kategori të personave, por as vitet e mëparshme.

Si në tremujorin e parë të vitit 2020 ashtu edhe në tremujorin e këtij viti, më së paku punëkërkues ka pasur me kualifikim master, derisa as në vitin 2020 e as në tre muajt e parë të këtij viti nuk ka pasur punëkërkues me gradë PhD.

Qyteti me më së shumti punëkërkues në muajin mars të këtij viti ishte Podujeva me 9 mijë e 78 punëkërkues, derisa në muajin mars të vitit të kaluar, komuna me më së shumti punëkërkues ishte Prizreni, që kishte regjistruar gjithsej 11 mijë e 432 persona.

Shifrat për tremujorin e dytë (TM2) të këtij viti, ASK-ja pritet t’i publikojë në fund të muajit korrik./Gazeta Sinjali/