image Mashtrimet me subvencione, 31 të arrestuar në tetë komuna

Drejtësi

Mashtrimet me subvencione, 31 të arrestuar në tetë komuna

news image

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Krimet Ekonomike kanë arrestuar sot 31 persona të dyshuar për mashtrim me subvencione. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për aksionin “Subvencioni 2021” që vijoi sot.

Aksioni është zhvilluar në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK. Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sinjali sot raportoi ekskluzivisht se katër nga të arrestuarit janë Valbona Kaliqani, Adrian Ramqaj, Jeton Sylaj dhe Granit Lubeniqi, zyrtarë të komunës së Istogut.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë konfirmuar se Valbona Kaliqani është zyrtare me kontratë të rregullt, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë në komunën e Istogut janë me kontratë mbi vepër.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/