image Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë gjatë vitit 2025, Prizreni kryeson me më së shumti raste

Kosovë

Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë gjatë vitit 2025, Prizreni kryeson me më së shumti raste

news image

Numri i çifteve që i kanë dhënë fund martesës në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Gjatë vitit janë regjistruar gjithsej 2.192 shkurorëzime, që përfaqësojnë 46 raste më shumë krahasuar me vitin 2024, kur ishin evidentuar 2.146 ndarje martesore. Kjo paraqet një rritje prej 2,1 për qind në baza vjetore.

Sipas statistikave, Prizreni është komuna me numrin më të lartë të shkurorëzimeve, me 192 raste ose 8,8 për qind të totalit. Pas saj renditen Prishtina me 175 raste (8 për qind) dhe Peja me 163 raste (7,4 për qind).

Analiza e të dhënave tregon se pjesa më e madhe e martesave që përfunduan me shkurorëzim kishin zgjatur nga pesë deri në nëntë vjet. Në këtë kategori janë regjistruar 627 raste, që përbëjnë 28,6 për qind të të gjitha shkurorëzimeve. Ndërkaq, martesat me kohëzgjatje prej 10 deri në 14 vjet zënë vendin e dytë me 297 raste, ose 13,5 për qind.

Sa i përket moshës, numri më i madh i grave të shkurorëzuara i përket grupmoshës 25–29 vjeç, me 463 raste. Te burrat, më së shumti shkurorëzime janë regjistruar në grupmoshën 30–34 vjeç, ku janë evidentuar 464 raste.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se trendi i shkurorëzimeve ka vazhduar të rritet lehtë edhe gjatë vitit 2025, duke reflektuar ndryshimet sociale dhe familjare në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/