image Rritet numri i pacientëve në QKUK, paralajmërohet ndërprerja e shërbimeve të tjera shëndetësore

Shëndetësi

Rritet numri i pacientëve në QKUK, paralajmërohet ndërprerja e shërbimeve të tjera shëndetësore

news image

Kosova në ditët e fundit është duke u ballafaquar me shifra rekorde të rasteve të reja të infektimeve me COVID-19.

Për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, këto shifra janë shqetësuese.

Madje, ai thotë se nëse vazhdon ky trend i shtimit të të prekurve me koronavirus, do të detyrohen t’i ndërpresin disa shërbime spitalore që ofrohen në QKUK.

Krasniqi thotë se si SHSKUK janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme në tejkalimin e çfarëdo situate epidemiologjike.

“Janë me të vërtetë shifra shqetësues edhe për neve si Shërbim Spitalor, sepse ky numër i madh i të infektuarve na paralajmëron neve që mund të kemi numër të madh të pacientëve që do të kërkojnë spitalizim. Ne vetëm brenda këtyre ditëve kemi vërejtur shtim të numrit të pacientëve të shtrirë nëpër klinika”, tha ai.

Krasniqi i cili po kryeson Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka paralajmëruar reduktim të ofrimit të shërbimeve tjera që nuk lidhen me koronavirus, nëse veç vazhdon rritja e numrit të personave të infektuar me këtë virus. Por, ai thotë se deri në maksimum do të bëjnë përpjekje për të ofruar të gjitha shërbime spitalore për gjithë pacientët.

“Ne për momentin jemi duke vazhduar me ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore për të gjithë pacientët që kanë nevojë, përfshirë edhe programin e operacioneve selektive dhe po ashtu edhe të shërbimeve në ambulancat specialistike…

Në rast se vazhdon ky trend i rritjes së numrit të të infektuarve, ne do jemi të detyruar të reduktojmë mbase disa shërbimet sërish. Do bëjmë përpjekje maksimale që sa më gjatë të jetë e mundur t’i mbajmë këto shërbime të mos i reduktojmë, por kjo do të varet nga situata e përgjithshme”, deklaroi ushtruesi i detyrës se drejtorit të SHSKUK-së.

Krasniqi deklaron se QKUK është e pajisur relativisht mirë me maska, dorëza e veshje mbrojtëse. Ndërsa, thotë se për ofrimin e dy bareve që po aplikohen në gjithë botën për trajtim të pacientëve me COVID-19 po bëjnë përpjekje t’i sigurojnë.

“Për momentin jemi relativisht mirë me këto pajisje dhe varësisht nga nevojat ne duhet të sigurojmë dhe të blejmë apo pranojmë donacione…është remdesiviri dhe favipiraviri. S

a i përket favipiravitit ne më herët kemi pranuar donacione nga qeveria e Japonisë për rreth 300 pacientë, ndërkohë që për remdesivir Ministria e Shëndetësisë është duke i kryer procedurat për blerje të këtij bari dhe po presim që së shpejti Ministria e Shëndetësisë të na furnizoj me remdesiver.

As remdesiviri e as favipiraviri dhe asnjë bar tjetër nuk është qind për qind efikas në luftimin e këtij infeksioni. Deri më tash nuk ka asnjë bar efikas që sulmon e lufton në mënyrë të suksesshme virusin COVID-19. E vetmja masë është parandalimi”, theksoi Krasniqi.

Furnizimi i mjaftueshëm me oksigjen i klinikave në QKUK dhe po ashtu spitalet e përgjithshme ka qenë sfidë për SHSKUK-në gjatë muajve korrik dhe gusht, kur Kosova kishte shifra të larta të të prekurve me koronavirus.

Valbon Krasniqi thotë se aktualisht janë duke u përmbushur kërkesat dhe se tani janë duke bërë ripërtëritjen e kontratave me operatorët për furnizim me oksigjen.

Ofrimi i oksigjenit të lëngshëm është politika që ka zgjedhur SHSKUK për pacientët me koronavirus nëpër spitalet e përgjithshme, prandaj Krasniqi thotë se janë në procedurë të blerjes së rezervarëve.

Ndërsa, në klinikat e Qendrës Klinike Universitare thotë se kanë projektuar zgjerimin e rrjetit të shtrirjes së oksigjenit qendror.

“Ne në Kosovë dhe në SHSKUK i kemi bërë atë që na mundësojnë ligjet tona, kemi pasur kontratë me një operator, ndërkohë që kemi nënshkruar kontratën e dytë edhe me një operator tjetër.

Tani për tani kërkesat janë duke u përmbushur, askush nuk mund të parashikojë se sa do të jenë nevojat për oksigjen gjatë muajve të ardhshëm sepse kjo do varet nga numri i pacientëve të shtrirë dhe nga ata që do zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes ku duhet ordinuar edhe oksigjeni…

Jemi në përfundim të shfrytëzimit të kontratave që i kemi pasur të nënshkruara dhe këtyre ditëve kemi filluar procedurat për të rilidhur sërish kontrata me operatorët për të furnizuar me oksigjenin, por ashtu gjatë këtyre muajve ne kemi bërë edhe veprime të tjera. Jemi në procedurë të blerjes së rezervarëve të oksigjenit që do t’i vendosim në shtatë spitalet e përgjithshme rajonale sepse furnizimi me oksigjen të lëngshëm përmes këtyre rezervuarve të mëdhenj është më i lirë dhe më i qëndrueshëm dhe ka sasi në treg”, tha ai.

Ai tutje thotë se në secilin spital të përgjithshëm janë identifikuar repartet dhe varësisht nga numri i pacientëve që do të kërkojnë trajtim do të shkohet me radhë edhe funksionalizimi i tyre.

Krasniqi thotë se tashmë nuk ka shtretër të lirë në Klinikën Infektive për pacientët me koronavirus. Sipas tij pacientët me COVID-19 janë rikthyer edhe në Klinikën e Pulmologjisë, e Mjekimin Intensiv Qendror dhe pasi të mbushen kapacitetet do të shikohet mundësia e shfrytëzimit të reparteve dhe klinikave tjera varësisht nga nevojat.

“Aktualisht ne në QKUK kemi pacientë me COVID në Klinikën Infektive tani javën e kaluar veç janë mbushur kapacitet e Klinikës Infektive dhe kemi filluar të rikthejmë pacientët në Klinikën e sëmundjeve të mushkërive, dhe po ashtu kemi në mjekimin intensive qendror me COVID ku janë pacientët me gjendje më të rëndë, pra në repartet intensive. Nëse veç mbushen edhe kapacitetet e reparteve të mushkërive ne kemi planin për të kaluar edhe në klinikat ose repartet e caktuara varësisht nga nevoja dhe po ashtu edhe në spitalet e përgjithshme ku gjatë tërë kohë kemi pasur numër të pacientëve por ka qenë numri më i vogël diku rreth 20”, theksoi Krasniqi.

Ndihmë të jashtëzakonshme e vlerëson ndërtimin e spitalit për pacientët me COVID-19, i cili është marrë vendim të bëhet në hapësirat e dedikuara për Spitalin e Emergjencës i cili është ende vetëm në tulla.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë janë shënuar 337 raste të reja më COVID-19 dhe 7 persona e kanë humbura betejën me këtë virus./Gazeta Sinjali/