image Rritet numri i grave të prekura me kancer të gjirit në Kosovë, sfidë mbeten ilaçet e shtrenjta

Shëndetësi

Rritet numri i grave të prekura me kancer të gjirit në Kosovë, sfidë mbeten ilaçet e shtrenjta

news image

Muaji tetor është muaji i vetëdijesimit për sëmundjen e kancerit të gjirit. Gazeta Sinjali ka zhvilluar një intervistë me Dr. Sc. Vildane Goga- Çmega, Onkologe në Institutin e Onkologjisë. Ajo tregon se krahasuar me vitet e kaluar kemi pasur rritje prej 15% të kësaj patologjie.

Dr. Sc. Vildane Goga- Çmega, Onkologe në Institutin e Onkologjisë në QKUK, tregon për Sinjalin sa i përket çështjeve se ku qëndron Kosova në aspektin e vetëdijesimit, trajtimit dhe mjeteve  financiare për të luftuar kancerin e gjirit.

Gjatë muajit Tetor organizohen aktivitete të ndryshme, me qëllim që t’u servohen njerëzve sa më shumë informacione dhe të ngritet vetëdijesimi për kancerin e gjirit, pasi që edhe pse me shumë sfida, kjo sëmundje nëse vërehet në fazë të hershme mund të ketë sukses.

Onkologia Vildane Goga tregon se njëra nga vështirësitë që klinika e Onkologjisë po përballet është mungesa e një bunkeri të ri, e që sipas saj nevoja për një bunker të ri do të plotësojë nevojat e pacientëve për një kohë më të gjatë dhe pa pritje.

“Sa i përket investimeve infrastrukturale ketë vit ka pasur por nuk janë shumë signifikante për t’u cekur. Ajo qe duhet të potencohet është investimi që do behet për departamentin e radioterapisë në ndërtimin e një bunkeri të ri si dhe blerja dhe vendosja e aparatit të ri për rrezatim të jashtëm të pacienteve i cili do të plotësojë nevojat e pacienteve për një kohë më të gjatë dhe pa pritje”, ka thënë ajo

Në Klinikën e Onkologjisë aplikohen të gjitha modalitet e trajtimit, por sipas Onkologes Goga në Klinikë ka nevojë për ngritje të kualitetit të shërbimit si nga aspekti material ashtu edhe resurseve humane.

“Po, sa i përket kancerit të gjirit në Kliniken e Onkologjisë aplikohen të gjitha modalitetet e trajtimit të bazuara në protokolle të konfirmuara botërore të cilat rrisin dukshëm prognozën në të mirë të pacientes, në mënyrë të vazhdueshme ka nevoje për ngritje te kualitetit të shërbimit si nga aspekti material ashtu edhe resurseve humane” tregoi Goga.

Sa i përket se sa është i shtrenjtë trajtimi, Vildane Goga tregon se barnat për kancerin e gjirit kanë një kosto mjaft të lartë.

“Barnat për trajtim specifik Onkologjik në përgjithësi janë të shtrenjta sidomos kur është fjala për aplikim të terapive të personalizuara (imunoterapisë, target terapisë), terapi e cila jo vetëm tek ne po edhe në vendet tjera ka kosto të lartë”, shtoi ajo.

Kanceri i gjirit është një patologji në rritje në mbarë botën sipas Vildana Goga në Kosovë kjo patologji ka pasur rritje prej 15%.

“Kancerit i gjirit është patologji në rritje në mbarë botën, po ashtu edhe tek ne krahasuar me vitet e kaluar kemi pasur rritje prej 15% të kësaj patologjie, që përkon me rritje të njëtrajtshme sikur edhe në vendet e rajonit”, tha për Sinjalin Onkologia.

Ministria e Shëndetësisë veprimtarinë e vet e kryen konform mbulesave buxhetore sipas doktoreshës Goga.

“MSh veprimtarinë e vet e kryen konform mbulesave buxhetore, por është fakt qe kërkesat për trajtim të sëmundjeve onkologjike janë në rritje qoftë si pasojë e rritjes së numrit të rasteve ashtu edhe mënyrës së trajtimit me kosto të lartë”, tha Goga.

Sa i përket vetëdijesimit të grave në Kosovë për kontrolla doktoresha thotë se është në rritje.

“Vetëdijesimi i grave kosovare për kontrolla është dukshëm në rritje, dhe ketë e them bazuar në numrin e kontrollave dhe numrit të rasteve të zbulimit të sëmundjes në faza relativisht më të hershme se sa vitet e kaluara, këtu dua të theksojë ndikimin pozitiv që kanë bërë aktivitetet e shumta vetëdijesuese të profesionisteve shëndetësorë, mediave vizive dhe të shkruara, dhe OJQ-ve të ndryshme”, ka theksuar ajo.

Vetëm gjatë ditës në dy departamente kimioterapi dhe radioterapi janë mbi 250 raste që kryejnë shërbim.

“Duke iu referuara numrit të rasteve të regjistruara gjatë ditës në dy departamente kimioterapi dhe radioterapi numri është rreth 250-280 raste që kryejnë shërbim brenda dite”, bëri të ditur Goga.

Ajo për Sinjalin ka folur dhe për punën dhe angazhimin e ministrit Latifi në klinikën e Onkologjisë, ku thotë se Onkologjia duhet të jetë primare për çdo ministër.

“Angazhimi i ministrit dr. Latifi nuk ka munguar, mirëpo për tu bërë dhe vërejtur ndryshimi i mirëfilltë në Onkologji nevojitet kohë.”  është shprehur Goga.

Urojmë që kushdo që të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, onkologjinë ta ketë prioritet, tha për fund onkologia Vildana Goga.

/GazetaSinjali/