image Rritet deficiti tregtar rreth 50 milionë euro në tetor

Biznes

Rritet deficiti tregtar rreth 50 milionë euro në tetor

news image

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.0% në muajin tetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 402.3 milion euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milion euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.7%, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2022 thuhet se eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milion euro, ndërsa importi 488.7 milion euro, që është një rritje prej 19.1% për eksport dhe 14.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të ASK-së, grupeve kryesore të eksportit: 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 18.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.8% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 37.7 milion euro, ose rreth 43.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Sllovenia (14.1%), Gjermania (10.1%), Italia (5.4%), Holanda (3.3%), etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 203.3 milion euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.7%), Belgjika (4.0%), etj.

Më tej në njoftimin e ASK-së thuhet se në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milion euro, ose 33.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (12.9%), Shqipëria (8.7%), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.0 milion Euro, ose 23.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (9.4%), dhe Zvicra (8.5%)”, tnjofton ASK-ja.

Ndërsa më tej në njoftim thuhet, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202.1 milion Euro, ose 41.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.4%) dhe Kina (10.0%).

/GazetaSinjali/