Të paktën 90 persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi gazi në një minierë qymyri në provincën veriore Shanxi të Kinës, në aksidentin më vdekjeprurës në industrinë minerare që nga viti 2009.
Shpërthimi ka ndodhur të premten vonë në minierën Liushenyu në qarkun Qinyuan, ku 247 punëtorë ndodheshin në punë nëntokë, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Miniera operohet nga kompania Shanxi Tongzhou Group Liushenyu Coal Industry, e themeluar në vitin 2010 dhe e kontrolluar nga Shanxi Tongzhou Coal Coking Group, sipas bazës së të dhënave të kompanive Qichacha.
Autoritetet lokale të emergjencave në Qinyuan kanë bërë të ditur se po zhvillohen operacionet e shpëtimit dhe se shkaku i aksidentit është nën hetim. Shanxi konsiderohet një nga rajonet kryesore të minierave të qymyrit në Kinë, raporton theguardian.
Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar që autoritetet të “mos kursejnë asnjë përpjekje” për trajtimin e të lënduarve dhe operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe ka urdhëruar hetim për shkakun e aksidentit dhe përgjegjësit.
Ai ka theksuar se të gjitha rajonet dhe institucionet duhet të nxjerrin mësime nga kjo ngjarje, të rrisin vigjilencën për sigurinë në punë dhe të parandalojnë aksidente të rënda në të ardhmen.
Edhe kryeministri Li Qiang ka bërë thirrje për publikim të saktë dhe në kohë të informacionit, si dhe për mbajtje të përgjegjësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!