image Rriten rastet me fruth në Kosovë, IKShPK konfirmon 63 të prekur dhe kërkon vaksinim të fëmijëve

Shëndetësi

Rriten rastet me fruth në Kosovë, IKShPK konfirmon 63 të prekur dhe kërkon vaksinim të fëmijëve

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 63, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, rastet janë raportuar në disa komuna të Kosovës, me numrin më të lartë në Prishtinë, ku janë evidentuar 19 raste. Pas kryeqytetit renditet Ferizaj me 12 raste, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.

Raste të tjera janë regjistruar edhe në Lipjan, Vushtrri, Shtime, Obiliq, Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së fruthit për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe komplikimeve që mund të shkaktojë kjo sëmundje.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë apel qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/