Autoritetet turke kanë forcuar masat e sigurisë në kryeqytetin Ankara, në prag të Samitit të 36-të të NATO-s, i cili pritet të mbledhë liderët e vendeve anëtare të Aleancës.
Që nga sot, forca të shtuara policore janë vendosur në aeroportin e Ankarasë dhe në zonat përreth hoteleve ku do të akomodohen krerët e shteteve dhe delegacionet pjesëmarrëse. Në disa pika janë vendosur edhe barriera sigurie dhe pika kontrolli të rrepta.
Masat janë intensifikuar gjithashtu pranë një hoteli afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara, ku pritet të qëndrojë edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Në këtë zonë janë vendosur pika kontrolli, ndërsa ekipet e emergjencës, përfshirë auto-ambulancat dhe zjarrfikësit, janë në gatishmëri të plotë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrolle të ngjashme dhe pika hyrjeje të mbikëqyrura janë vendosur edhe në zona të tjera hoteliere ku do të qëndrojnë delegacionet ndërkombëtare.
Samiti dyditor i NATO-s nis nesër në Ankara, me pjesëmarrjen e liderëve të 32 vendeve anëtare. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës, siguria euroatlantike, rritja e shpenzimeve për mbrojtje, si dhe sfidat globale të sigurisë.
Agjenda e samitit përfshin gjithashtu luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në krahun jugor të NATO-s.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!