image RrGK reagon pas aktvendimit të Apelit: Nuk ka drejtësi për gratë kur nuk ka dënime për vrasësit

Drejtësi

RrGK reagon pas aktvendimit të Apelit: Nuk ka drejtësi për gratë kur nuk ka dënime për vrasësit

news image

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, që më 7 korrik e dënoi me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, të dyshuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, raporton Gazeta Sinjali.

RrGK ka vlerësuar se ky vendim motivon dhunuesit dhe vrasësit e grave, si dhe demotivojnë gratë dhe vajzat që t’i raportojnë rastet e dhunës ndaj tyre.

“Vendime si ky vetëm sa motivojnë dhunuesit e vrasësit e grave, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë për t’i raportuar krimet e për të kërkuar drejtësi për to.”

“Për më tepër, Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK) rikujton se përveç Kodit Penal të Kosovës, edhe Konventa e Stambollit, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të mbrojnë viktimat e dhunës gjinore dhe të dënojnë pa kompromis dhunuesit e vrasësit e grave“, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.

RrGK kërkon që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të.

Po ashtu, kjo organizatë kërkon që procesi të mos lë hapësirë për rigjykimin të këtij rasti.

“Që prej vrasjes së Donjeta Pajazitajt, RrGK ka bërë përpjekje të vazhdueshme përmes protestave, monitorimeve dhe reagimeve, duke bërë thirrje që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar”, thuhet tutje në reagim.

RrGK ka njoftuar se do ta monitorojë edhe këtë rast për së afërmi dhe do të kërkojë drejtësi për Donjeta Pajazitajn dhe për secilën grua të dhunuar e të vrarë./GazetaSinjali/