image Rrëzohet hidroavioni në SHBA, shpëtojnë 11 personat në bord

Botë

Rrëzohet hidroavioni në SHBA, shpëtojnë 11 personat në bord

news image

Një hidroavion u rrëzua pasditen e së enjtes (23 korrik) në ishullin Sushia, në qarkun San Juan pranë Seattle, në shtetin Washington të SHBA-së. Në bordin e mjetit ndodheshin 11 persona, 10 pasagjerë dhe piloti, të cilët të gjithë arritën të shpëtohen.

Sipas raportimeve nga mediat lokale, katër pasagjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike.

Persona që ndodheshin në zonë me varkat e tyre ndërhynë menjëherë për të ndihmuar pasagjerët, përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës, shkruan Euronews.

Sipas autoriteteve, hidroavioni kreu një ulje emergjente, përfundoi në shkëmbinjtë e ishullit dhe më pas u përfshi nga flakët. Në vendngjarje mbërritën Roja Bregdetare, si dhe disa agjenci të tjera lokale për të menaxhuar situatën.

Ndërkohë, po kryhet një inspektim për të vlerësuar edhe ndikimet e mundshme mjedisore të shkaktuara nga incidenti.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e uljes emergjente dhe zjarrit që pasoi rrëzimin e avionit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/