image Rreziku për sulm terrorist ishte paralajmëruar edhe nga Departamenti amerikan i shtetit

Siguri

Rreziku për sulm terrorist ishte paralajmëruar edhe nga Departamenti amerikan i shtetit

news image

Gazeta Sinjali sonte publikoi e-mailin që disa organizata të huaja u kanë dërguar stafit lidhur me rrezikun për një sulm të mundshëm terrorist në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë dhe disa qendra tregtare në Ferizaj. Por rrezikun për një sulm të mundshëm e ka paralajmëruar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, më 22 nëntor.

DASH ka publikuar një njoftim për shtetasit e saj, duke u kërkuar të kenë kujdes ndaj sulmeve terroriste në Kosovë, teksa ka shtuar se duhet të rishqyrtojnë udhëtimet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan për shkak të potencialit për trazirë civile për shkak të tensioneve etnike

Në njoftim po ashtu janë përmendur edhe lokacionet, në të cilat kërkohet kujdes, shkruan Gazeta Sinjali.

“Grupet terroriste vazhdojnë komplotimin e sulmeve të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendet turistike, qendrat e transportit, tregjet/qendrat tregtare, strukturat e pushtetit lokal, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet e mëdha sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike”.

Paralajmërimi i organizatave të huaja

Në e-mailin që ka siguruar Sinjali, organizatat e huaja kanë paralajmëruar punëtoret e tyre që t’i shmangin turmat dhe qendrat e mëdha tregtare, për shkak të rrezikut për një sulm të mundshëm deri më 30 nëntor.

Sipas këtij paralajmërimi, kërcënimi i sigurisë thuhet se vjen nga një person i vetëm.

“Është marrë informacion se një ekstremist “ujk i vetmuar” mund të planifikojë një sulm në një nga qendrat tregtare. Koha e mundshme është deri më 30 nëntor. Policia është duke e vëzhguar të dyshuarin. Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët këshillohen që të shmangin vizitat në zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrën tregtare Albi dhe qendrat tregtare në Ferizaj/Uroševac“, thuhet në e-mail.

Deklarimi i Policisë

Ndërkohë Policia, pa e specifikuar rastin, ka thënë për Gazetën Sinjali se si institucion merr masat varësisht nga natyra e informacionit.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”.

/GazetaSinjali/