Studimet me mbi 215 mijë njerëz nga e gjitha botës, rezultuan se 70% e tyre kishin filluar të konsumonin duhanin rregullisht, pasi e kishin pirë cigaren e parë.
Profesori Peter Hajek nga Universiteti ‘Queen Mary’ në Londër, thotë se kjo është hera e parë që tregon varësinë të cilën mund ta krijojë konsumimi i vetëm një cigareje.
“Në zhvillimin e çfarëdo varësie, kalimi nga eksperimentimi në përdorim të rregullt është gjë e rëndësishme, sepse tregon që një aktivitet rekreacional po shndërrohet në një nevojë. Ne kemi zbuluar se përqindja e atyre që e provojnë duhanin dhe shndërrohen në konsumues të rregullt të duhanit është shumë e lartë, dhe kjo ndihmon në konfirmimin e rëndësisë që ka parandalimi i eksperimentimit me cigare”, ka treguar ai.
Se eksperimentet me duhan çojnë në varësi të tij, e ka dëshmuar edhe një studim i vitit të kaluar i shkencëtarëve kanadezë, me rreth 44 mijë persona të moshave 14 deri 18 vjet, i cili kishte zbuluar se ata të cilët përdorin cigare elektronike janë thuajse dyfish më të prirë të bëhen konsumues të rregullt të duhanit.
Shkencëtarët gjithashtu kanë paralajmëruar se cigaret elektronike ndihmojnë në ‘ri-normalizimin’ e duhanpirjes pas disa viteve të krijimit të shprehisë së duhanit./Gazeta Sinjali/