Gazeta Sinjali sot raportoi për një rast të privimit të kundërligjshëm nga liria që ka ndodhur në Drenas, dje në orët e pasdites. Një person ka raportuar në polici se derisa ishte duke ecur rrugës persona të panjohur e kanë futur në një automjet, ku dyshohet se edhe është rrahur.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje ekskluzive se si ka ndodhur rasti në fshatin Çikatovë e Vjetër.
Sipas të njëjtave burime, viktima B.K. (emër i njohur për redaksinë), ishte rrugës për në shtëpinë e tij në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit, kur u ballafaqua me disa persona, të cilët dolën nga një automjet i tipit “Pikap”, pa targa dhe e futën në automjet.
Në momentin që u fut në automjet, viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se ndodhej shoferi dhe tre persona, të cilët ia kanë vënë një qese të zezë në kokë dhe e kanë rrahur keq.
Por, s’ka mbaruar gjithçka aty. Siç mëson Sinjali tre të dyshuarit e kanë dërguar viktimën në një shtëpi, ku aty e kanë mbajtur për një kohë të caktuar.
Drama mbaroi aty, por viktima përfundoi në QKUK për shkak të plagëve të marra nga goditjet e të dyshuarve. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i njëjti fillimisht është trajtuar në QKMF-në e Drenasit, e më pas është transferuar për në QKUK.
Drejtoria e Hetimeve Rajonale ka dalë në vendin ku ndodhi ngjarja, ndërsa deklarata e viktimës është marrë në spital, aty ku po trajtohet.
Burimet për Sinjalin kanë bërë të ditur se viktima B.K. nuk ka qenë në gjendje të jap deklaratë me shkrim në Stacionin Policor në Drenas, por i njëjti do të paraqitet sot në intervistim.
Deri më tani s’ka të arrestuar lidhur me këtë ngjarje, ndërkohë që prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të cilësohet si “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Lëndim trupor”.