Borxhet prej qindra e mijëra eurove shpesh kanë shkaktuar incidente dhe kanë eskaluar në sulme e kërcënime serioze, madje edhe në rrëmbim. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një person u rrëmbye nga persona të panjohur për shkak të një borxhi financiar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima e këtij rasti është një 23-vjeçar, i cili para disa ditësh u rrëmbye nga disa persona të panjohur.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, të dyshuarit që kanë rrëmbyer të riun, në këmbim të lirimit të tij kanë kërkuar pagesën prej rreth 300 eurove, që pretendojnë se viktima ua ka borxh.
Nëna e viktimës e ka raportuar rastin në Polici, me ç’rast ka kërkuar ndihmë për gjetjen e djalit të saj.
Ndërkaq, institucionet e sigurisë kanë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme për zbardhjen e detajeve të kësaj ngjarjeje.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij hetimet kanë filluar.