image Rrëfimi prekës i djalit që i vdiq nëna pa u ndihmuar nga Ministria e Shëndetësisë

Shëndetësi

Rrëfimi prekës i djalit që i vdiq nëna pa u ndihmuar nga Ministria e Shëndetësisë

news image

Ka qenë muaji Gusht i vitit 2016 kur Serbeze Dançës nga Peja i ishin shfaqur probleme me shëndetin. Duke mos u ndjerë mirë ajo kishte bërë disa kontrolla rutinore për sëmundjen e diabetit.

Meqenëse ajo prej kohësh vuante nga sëmundja e diabetit dhe simptomat ishin më ndryshe sesa nga e kaluara, ajo dhe familja e saj dyshonin për një sëmundje më të rëndë.

Djali i saj Yll Dança, thotë për Gazetën Sinjali se vetëm pas kontrollës te mjeku hematolog është kuptuar se nëna e tij kishte sëmundjen e leukemisë, por ata ende kishin një shpresë se kjo mund të mos ishte e vërtetë.

“Mjeku na referoi të shkojmë në QKUK në Hematologji, kur shkuam atje u afruam afër sportelit, ka qenë një infermiere e cila ishte shumë arrogante “kush ju ka dërguar këtu, çka po doni”, na foli ajo me një zë të lartë. Më pas doli mjeku që e kërkonim, na u tha edhe njëherë që në gjakun e saj ka qeliza kancerogjene, pastaj vazhduam bisedën për trajtim”- thotë Ylli.

Ylli thotë se pasi që e kuptuan se kanë të bëjnë me një sëmundje të rëndë nëna e tij hospitalizohet në QKUK, ajo për një javë i nënshtrohet kontrollave e ekzaminimeve më të thella, prej nga referohet për teste më të sofistikuara në Tiranë dhe Shkup.

“I dërgova disa nga mostrat në Shkup, nana ishte e shtrirë aty (në QKUK), unë e kisha vetëm epruvetën me vete të cilën e përcjella në laboratorin përkatës në Shkup dhe u ktheva në Prishtinë. Ka qenë e vështirë të shkoj atje duke e ditur gjendjen e nanës dhe duke e lënë vetëm”.

Pas tre javëve të qëndrimit në QKUK dhe pas marrjes së rezultateve të reja që e vërtetonin edhe më shumë sëmundjen e saj, Serbezja lëshohet për në shtëpi. Asaj i rekomandohet përdorimi i një bari të quajtur Hidroxeurea dhe transfuzion gjaku sipas nevojës dhe vlerësimit të mjekëve.

“Në Pejë është dashur që çdo dy apo tre ditë me i dhanë gjak, unë isha vullnetar i dhurimit të gjakut dhe asaj asnjëherë nuk i ka munguar ndonjë dozë gjaku, por kjo nuk ishte e mjaftueshme” – kujton Ylli.

Pasi që përfunduan të gjitha diagnostikimet e mundshme, mjekët në QKUK
e kishin udhëzuar Serbezen për trajtim jashtë institucioneve publike. Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali, shihet se mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në një komision prej tre mjekëve kishin thënë se Serbeze Dança nuk mund të trajtohet aty për shkak të mungesës së barnave. Asaj i duhej bari  Roxulitinib 20mg.

“Bari na kushtonte mbi një mijë euro në muaj. Për një kohë arrita ta siguroj më ndihmën e miqve dhe familjarëve, çdo të dytën ditë e lija nanën vetëm në spital dhe shkoja në Ministri të Shëndetësisë. Atje askush nuk më kishte dhënë ndonjë përgjigje konkrete, më thonin se ky ilaç nuk është në listë esenciale dhe nuk mund të më ndihmonin”.

Ylli thotë se gjendja financiare e familjes ishte rënduar, tashmë ishte vetëm ai që punonte dhe kishte në përgjegjësi të kujdesej për nënën, babain, gruan dhe djalin e tij.

“Në mëngjesin e 7 Janarit të këtij viti, ishte fundi i luftës sonë me sëmundjen. Unë isha me nanën në një dhomë në spitalin e Pejës dhe përnjëherë gjendja e saj ndryshoj shumë. Prej atij momenti nuk kaloj shumë kohë dhe ajo vdiq. Mjekët më pyetën nëse dua qetësues ju thashë jo, ju ishit qetësues për të dhe për mua, të shqetësuar uroj të jenë ata në Ministrinë e Shëndetësisë që nuk na ndihmuan”- thotë Ylli.

Ylli thotë se përjetimi i sëmundjes së nënës së tij, kalimi i çdo vështirësie nga vet familja pa u ndihmuar nga shteti në të cilin paguan taksa do të ishte ndjenjë e rëndë e çdo qytetari të botës.

Ai apelon Ministrinë e Shëndetësisë që të bëjë planifikime më të mira dhe të mos lejoj që ndonjë pacient tjetër të qëndroj për disa vjet pa e ndjerë kujdesin e shtetit të vet.

“Unë kam bërë cdo gjë për ta ndihmuar nanën, kam siguruar terapinë me ndihmën e shumë miqve, por çka do të bënin qytetarët e tjerë që nuk kanë mundësi për të bërë të njejtën gjë. Mos qofsha në lëkurën e askujt që e ndjen se nuk ka bërë mjaftueshëm për shkak të kushteve financiare për familjarin i cili ka vdekur nga ndonjë sëmundje e rëndë”.

Së fundmi Ylli i ka dhënë kutitë e barnave që kanë mbetur pa u shfrytëzuar prej nënës së tij, për një pacient tjetër me problemin e njejtë shëndetësor.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë i tha Sinjalit se bari Ruxolitinib tashmë  është bërë pjesë e listës së barnave esenciale të miratuar në vitin 2019.

Ruxolitinib i formës tabletare  5 mg, 10 mg, 15 mg dhe 20 mg, është pjesë e Listës komplementare të Listës Esenciale të Barnave, të miratuar më 2019”- thotë MSH.

Ylli thotë se lajmi se ky bari është pjesë e listës së barnave esenciale e ka gëzuar shumë. Edhe pse nëna e tij nuk e pati fatin të ndjejë dorën e kujdesit nga shteti, ai thotë se po gëzohet shumë që qytetarët e tjerë nuk do të kalojnë në të njejtat vështirësi si familja Dança. Gazeta Sinjali