Shumë mjekë nëpër botë gjatë kohës së pandemisë kanë shpërndarë foto e video ku shihen të lodhur e duke qarë për shkak të ngarkesës së madhe nga kujdesi i mijëra pacientëve me COVID-19.
Ngarkesa e madhe “i ka thyer” edhe mantelbardhët në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por ndryshe nga stafi shëndetësor nëpër botë, personeli shëndetësor në Pulmologji nuk kanë dashur të tregojnë këtë pjesë të tyre te qytetarët andaj asnjëri prej tyre nuk ka nxjerr fotografi apo video duke qarë.
Por, sonte për herë të parë një gjë e tillë u përmend nga pulmologu Shpëtim Thaçi.
“Ka pas situata kur jemi ndjerë jashtëzakonisht të lodhur dhe në situata kur e kemi gjetur veten në mesin e korridorit duke qajtë pa e kuptuar që jemi duke qarë për shkak të ngarkesës së madhe. Unë e them me plot përgjegjësi se unë kam pa kolegë të mi në mesin e korridoreve duke qarë, tani ne nuk kemi nevojë të bëjmë show dhe të bëjmë fotografi por sinqerisht jo vetëm mjek edhe infermier dhe plot staf tjetër”, tregon tutje për Kallxo.com. /Gazeta Sinjali/