image Rrëfimi i familjes kosovare–ukrainase Zeka–Michailenko që përjetoi dy luftëra

Botë

Rrëfimi i familjes kosovare–ukrainase Zeka–Michailenko që përjetoi dy luftëra

news image

Para më shumë se njëzet vitesh, kosovari Zeqirja Zeka së bashku me bashkëshorten e tij ukrainase Janën dhe fëmijët e tyre, ikën nga lufta e Kosovës. Tani, nëna e Janës, vëllai dhe motra e saj,  janë arratisur, pas agresionit të Putinit.

Historia e Jana Michailenkos dhe Zeqirja Zekës filloi në Kiev (Ukrainë) në vitin 1992.  33-vjeçari, inxhinier i Elektrikes, i cili punonte për një kompani zvicerane në Ukrainë, i “ra në sy” ukrainases 19-vjeçare.

“Ai dukej nga pamja si italian. Pastaj tha, se ishte nga Kosova. Dhe, më duhet të them sinqerisht se nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë vend në jetën time”, kujton Jana në një  bisedë për DW.

Në atë kohë Jana dhe Zeqirjai jetonin në Podol, një lagje e kryeqytetit ukrainas, në Kiev, ku shpesh  ata vraponin me njëri-tjetrin. Pas disa takimeve të tilla të rastësishme, u pajtuan të takohen për herë të parë në kishën e njohur të Shën Andreas. Që atëherë ata janë çift. Kur iu desh të shpërngulej në qytetin më të ftohtë në botë, Jakutsk, në Rusinë verilindore, që është 6000 kilometra dhe gjashtë zona kohore larg, Jana shkoi gjithashtu me të.

Menjëherë pas kësaj, Jana mbeti shtatzënë. Më 13 shtator 1993 lindi Adriani, djali i parë i çiftit kosovaro-ukrainas. Jana dhe Zeqirja vendosën të martohen, por për shkak të distancës mes Kosovës, Kievit dhe Jakutskut, në dasmë nuk mund të merrnin pjesë as familjarët nga Kosova dhe as ata nga Ukraina. Kështu që të dy festuan vetëm me fëmijën e tyre dhe miqtë e rinj rusë.

Një vit më vonë, Zeqirjai e bindi punëdhënësin e tij që ta transferonte në Prishtinë. Jana u njoh më në fund edhe me familjen e të shoqit.

“Isha e mahnitur nga miqësia dhe pritja me plot dashuri që më bënë prindërit e Zeqirjait dhe të afërmit e mi të rinj, kosovarë”, kujton ukrainasja.

Lufta në Kosovë

Në vitin 1996 lindi vajza e parë e Janës dhe Zeqirjait, Ardita. Këtë vit e gjithë familja Zeka mori pjesë në protesta kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë. Ndërsa në vitin 1998, Jana dhe Zeqirjai bashkë më fëmijët Adrianin dhe Arditën u larguan për në Angli.

Atje lindi vajza e dytë e tyre, Miranda. Në vitin 2000, pas përfundimit të luftës së Kosovës, familja Zeka u kthye në Kosovë. Pas një kohe të shkurtër, prindërit e Zeqirjait vdiqën. Për fëmijët, nga gjyshërit, ka mbetur gjallë vetëm Vira, gjyshja nga Kievi. Atje jeton edhe motra  e Janës, Alla dhe vëllai i saj, Michael.

Në vitin 2003, Jana, Zeqirjai, Adriani, Ardita dhe Miranda më në fund patën mundësi të udhëtonin së bashku në Ukrainë. Nuk kishte probleme në komunikim: Jana përveç gjuhës ukrainase, flet në mënyrë të përsosur edhe rusisht.

Gjuhën shqipe, ajo e ka mësuar nga bashkëshorti i saj.  Përveç kësaj, ajo flet edhe anglisht dhe serbisht. Në shtëpi, familja Zeka flasin kryesisht shqip, por Jana u ka mësuar fëmijëve edhe rusishten, pasi kjo gjuhë flitet më gjerësisht.

Lufta në Ukrainë

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, të afërmit e familjes Zeka janë kërcënuar drejtpërdrejt nga lufta dhe agresioni rus, ashtu siç ishin kjo familje të kërcënuar gjatë viteve 90-ta nga lufta në Kosovë. Çdo ditë, bomba dhe raketa të ushtrisë ruse godasin objektet civile dhe ndërtesat e banimit në Ukrainë.

Situata është më e rrezikshme për jetën e familjes Zeka sesa çdo gjë që kanë përjetuar deri më tani. Jana është e gëzuar që nëna dhe motra e vëllai i saj ia kanë arritur që të largohen nga Kievi dhe të vendosen afër kufirit sllovak. Edhe pse ata mund të vinë tek familja Zeka në Kosovë, ata nuk duan ta braktisin Ukrainën.

“Unë flas çdo ditë me nënën time në mënyrë që ta di nëse ajo, motra e vëllai im janë mirë”, tha Jana për DW.

“Faleminderit Zotit që ata kanë internet dhe ne mund të mbajmë kontakte mes vete. Është shumë e vështirë për mua të di, që nuk mund të bëj më shumë. E vetmja gjë që dua është, të përqafoj përsëri nënën, motrën dhe vëllain tim. Unë mundem vetëm të lutem, që ata të mbesin gjallë dhe të jenë të sigurt”, tha ajo.

/GazetaSinjali/