Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj burrit që dyshohet se rrahu brutalisht bashkëshorten e tij. Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se prokurori i rastit ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ardison Jakupaj, 38-vjeçar, i cili dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij 22-vjeçare.
Sipas Prokurorisë, gjithçka ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që lidhet me organizimin e ditëlindjes së vajzës së tyre, e që më pas kishte eskaluar në dhunë fizike për 22-vjeçaren e cila u rrah me rrip nga bashkëshorti i saj.
“Prokuroria njofton se, më 21.08.2022, në Komunën e Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.J., i shkakton lëndime trupore te dëmtuarës, bashkëshortes së tij, S. J., ku pas një mosmarrëveshje të cilën e kishin mes vete, ne lidhje me organizimin e ditëlindjes se vajzës së tyre, i pandehuri në një moment fillon qe ta sulmon te dëmtuarën duke e goditur me duar e me rrip në pjesë te ndryshme te trupit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ardison Jakupaj do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.