Mosmarrëveshjet mes taksistëve nëpër rrugët e vendit janë goxha të shpeshta dhe kryesisht lidhen me punën që ata bëjnë. Zënkat për motive të ndryshme i shtyjnë ata të përfshihen edhe në përleshje dhe për pasojë futen në sherr me Policinë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën pasdite në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se incidenti ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari”, ku janë përfshirë dy taksistë, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit I.H., dhe A.Th., fillimisht kanë pasur një konflikt verbal që eskaloi në përdorimin e thikës, ashtu që i dyshuari i parë e ka goditur të dyshuarin e tyre, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Posa rasti është denoncuar, kanë intervenuar njësitë policore në vendin e ngjarjes, prej ku i dyshuari që u sulmua është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Thika që dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar nga zyrtarët policorë, ndërsa i dyshuari kryesor është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.