image Rrahje mes nxënësve afër 'Don Boskos' në Prishtinë: Sulmohet keq 18-vjeçari, tre të arrestuar

Siguri

Rrahje mes nxënësve afër ‘Don Boskos’ në Prishtinë: Sulmohet keq 18-vjeçari, tre të arrestuar

news image

Ditëve e javëve të fundit ka pasur shumë raste të përleshjeve mes nxënësve të shkollave fillore e të mesme në vendin tonë. Për njërin rast që ndodhi në gjimnazin e Istogut, Gazeta Sinjali ka raportuar me detaje sot në mëngjes. Ndërkohë burimet e Sinjalit kanë dhënë detaje për përleshjen tjetër, që ndodhi në afërsi të shkollës “Don Bosko” në Prishtinë.

Këtë herë, Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në afërsi të shkollës, ku tre nxënës kanë sulmuar fizikisht një bashkëmoshatar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. Gjithë rasti u filmua nga dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes, çka u bë sebep që të dyshuarit të arrestohen.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për G.M., O.M., dhe B.G., të cilët e kanë rrahur brutalisht viktimën 18-vjeçar, i cili për pasojë ka pësuar lëndime në fytyrë, me ç’rast u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore në QKUK.

Pas identifikimit të të dyshuarve, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin, teksa tashmë janë siguruar edhe prova (pamje), që dëshmojnë përleshjen që kishte ndodhur afër shkollës.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes dhe do të hetohen për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

/GazetaSinjali/