Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një rrahjeje që ka ndodhur sot në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ku dyshohet se gjatë incidentit është përdorur edhe një mjet i mprehtë (thikë).
Rastin për Gazeta Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 14 korrik 2026, rreth orës 16:36, gjatë një patrullimi të rregullt policor.
Sipas Osmanit, zyrtarët policorë kanë hasur në rastin e rrahjes dhe kanë ndërhyrë menjëherë, me ç’rast kanë arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në incident.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-teknika, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale.
Nuk raportohet për persona të lënduar si pasojë e rrahjes apo përdorimit të mjetit të mprehtë. Megjithatë, për shkak të shqetësimeve të shkaktuara, dy nga personat e përfshirë kanë pranuar trajtim mjekësor.
Hetuesit policorë nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!