Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një përleshje brutale që ka ndodhur mes “xhematit” te xhamia e fshatit Halabak të Komunës së Podujevës, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore. Sipas informacioneve të para, i gjithë motivi që shtyu të eskalojnë në dhunë fizike, është pakënaqësia që kanë pasur të dyshuarit me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë.
Si rrjedhojë e incidentit, Sinjali mëson se me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.
Viktima që ka pësuar lëndime si pasojë e rrahjes ka marrë tretman mjekësor në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërkohë që në Polici janë shoqëruar shtatë persona, përfshirë imamin e xhamisë.
Ndërkohë, Sinjali ka siguruar edhe pamjet e rënda të viktimës i cili ka pësuar nga rrahja.
Kujtojmë që konflikti lidhur me pozitën e imamit në xhaminë e Halabakut ka nisur që disa muaj, ku herë pas herë janë raportuar telashe mes banorëve të fshatit atje.