Një rrahje brutale mes disa personave ka ndodhur para rreth dy muajsh në Gjilan, ku një 27-vjeçar u sulmua keq, teksa vetëm njëri nga dy të dyshuarit ka rënë në prangat e Policisë. Rastit dyshohet se i parapriu një përplasje verbale që eskaloi në sulm fizik, si pasojë e një mosmarrëveshje për një borxh, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në mesditën e 22 tetorit, kur dy persona sulmuan fizikisht një tjetër, deri në atë pikë sa ia kanë prerë dy gishta me drapër, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çka përfundoi në spital, ku po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.
Motivi i rrahjes brutale sipas burimeve nga Prokuroria lidhet me një borxh prej 10 eurosh, që u bë mollë sherri mes të rinjve.
Viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e më pas është transferuar në QKUK.
Pasi dikush e njoftoi Policinë në lidhje me incidentin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa më pas janë drejtuar për në Qendrën Klinike Universitare, ku është marrë një deklaratë nga viktima.
Sinjali mëson se Policia ka arritur ta arrestojë njërin nga personat e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, u dërgua në mbajtje për 24 orë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin si “Lëndim i rëndë trupor” dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve që çojnë në identifikimin e personit tjertër të përfshirë në rast.