image Rozeta Hajdari: S'ma lejon ligji të tregoj sa kilogramë vaj i kemi blerë, kemi boll

Politikë

Rozeta Hajdari: S’ma lejon ligji të tregoj sa kilogramë vaj i kemi blerë, kemi boll

news image

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pas publikimit të bisedës së zyrtarëve të MINT rreth kësaj situate ka thënë se Kosova ka rezerva të bollshme me vaj , teksa shtoi se në këto dy vite qeverisje, duke i parë vështirësitë që solli pandemia si dhe lufta në Ukrainë “janë kujdesur që të ketë rezerva të vajit”.

“Gjatë këtyre viteve jemi siguruar që rezervat të jenë të plota, edhe sot janë plot, pe marr shkas raportimin e një portali online sa i përket rezervave me vaj. Dua t’ju siguroj që kemi rezerva të bollshme të vajit, sepse jemi kujdesur që të ketë rezerva të vajit”, deklaroi ajo në konferencën e sotme, e cila u bojkotua nga shumica e mediave.

Veç kësaj, Hajdari ka thënë se nuk ia lejon ligji të tregojë se sa kanë blerë rezerva shtetërore, por sipas saj, “përgjithësitë” operatorët ekonomik kanë kryer obligimet.

“Do të kisha dashur të jap edhe më shumë informacione se sa kemi ble kilogramë vaj, grurë etj, por nuk më lejon ligji që t’ju tregoj këto. Por ju them se përgjithësisht, operatorët ekonomik i kanë kryer obligimet…”, u shpreh tutje ajo.

Ministrja e cila këto ditë ka qenë shumë e përfolur edhe për pezullimin e licencës së mediumit Klan Kosova, deklaroi se ligji s’i lejon të jap shumë detaje.

Madje ajo tha se nuk mund të tregojë se sa “kilogramë” vaj kanë blerë, megjithëse, sasia e vajit matet me litër.

“Duhet të përmbaj, nuk mund të jap detaje me llojin, sasinë, vlerën e rezerva. Nuk mund të jap informata për mjetet financiare, shpërndarjen, shumën e mjeteve të deponuara, nuk mund të jap informata që nuk më lejon ligji dhe shpërndarjen territorial të rezerva të bazuar në nevojat e furnizimit”, deklaroi ministrja.

Më tutje, një gazetare që po merrte pjesë në konferencë, ia shtroi këtë pyetje: “Në bazë të ligjit, po besoj e keni të lejuar që ta jepni informata, nëse është pranuar malli në bazë të kontratave, a është pranuar malli dhe a ndodhet ai në depo?”

“Unë ju dhashë një informacion që e mora nga Departamenti i Rezervës Shtetërore, përgjithësisht operatorët kanë kryer obligimet. Aty është një departament që negocion kontrata, përgjithësisht operatorët ekonomik kanë kryer obligimet kështu që sasitë e rezerva janë vendosur në pjesë të ndryshme të vendit…”, tha ministrja në fund të konferencës.

/GazetaSinjali/