image Rohde: Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës edhe si partner ekonomik

Kosovë

Rohde: Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës edhe si partner ekonomik

news image

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka falenderuar Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Rohde ka thënë se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës, jo vetëm si mbështetës politik por edhe si partner ekonomik.

“Potenciali për marrëdhëniet tona ekonomike dypalëshe është i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh lidhjet e forta midis shoqërive tona. Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës jo vetëm si mbështetës politik por edhe si partner ekonomik”, ka shkruar Rohde.

Ndërkohë, Bislimi ka deklaruar sot se ky forum është një mundësi e mirë për të bërë bashkë biznese nga dy vendet tona, e rritur bashkëpunimin dhe hapësirat për investime dhe ide të reja.

Bislimi ka thënë se përderisa 24 vite më parë, në një konferencë në Mynih ku flitej rreth klimës investuese në Kosovë, një nga ekspertët i kishte thënë në atë kohë se fuqia blerëse e të gjithë Kosovës, është e barabartë me atë të një qyteti të vogël gjerman me më pak se 50.000 banorë, realiteti sot, është krejt tjetër.

“Progresi i arritur është i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë kudo tjetër. Sot, jemi mes 100 vendeve në botë për të ardhura për kokë banori, në katër vitet e fundit kemi rritjen mesatare më të lartë ekonomike në rajon me 6.2%, mbledhja e tatimit nga të ardhurat e korporatave dhe ato personale është rritur në krahasim me vitin 2020 nga 64 milionë në 156 milionë, apo për 144%, dhe nga 130 milionë në 207 milionë, apo për 83%, pa ndërruar normën e taksimit. Pra në katër vite, korporatat kanë më shumë se dyfishuar fitimin e tyre”, ka deklaruar Bislimi.

/GazetaSinjali/