image Rohde dhe Guerot për masat e BE-së: Nuk është diçka që jemi të lumtur ta bëjmë

Politikë

Rohde dhe Guerot për masat e BE-së: Nuk është diçka që jemi të lumtur ta bëjmë

news image

Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë dhe Oliver Guerot, ambasadori i Francës në Kosovë, kanë folur gjerësisht për situatën në Kosovë, për marrëdhëniet e vendit tonë me shtetet Perëndimore në kohën e fundit, për masat që BE-ja ia ka vënë Kosovës dhe për shumë tema tjera.

Në lidhje me masat ndëshkuese që BE-ja ia ka vënë Kosovës, duke përfshirë anulimin e vizitave zyrtare të Kosovës dhe gjithashtu anulimin e një pjese të madhe të ndihmës ekonomike të BE-së në Kosovë, ambasadori gjerman Rohde tha se masat ishin paralajmëruar.

“Do të doja të isha këtu për një temë tjetër. Ju e dini që BE-ja kërkoi nga Kosova dhe Serbia më 3 qershor disa hapa për shtensionim dhe nëse këta hapa nuk ndërmerren, do të kenë pasoja negative dhe këto pasoja negative tashmë janë prezantuar gjithashtu në baza bilaterale, pjesërisht nga Gjermania, dhe për shkak se kërkesat nuk janë plotësuar”, deklaroi Rohde në Klan Kosova.

Duke u përgjigjur në lidhje me faktin se Serbia po shpëton pa masa, ambasadori gjerman tha se BE-ja është gati ta ndëshkojë edhe atë.

“E shihni se përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, i cili ishte këtu dje dhe është tani në Serbi, gjithashtu publikisht ka deklaruar se BE-ja është gati të vendosë masa ndaj Serbisë nëse ata ndërmarrin veprime në kundërshtim me kërkesat e BE-së. Por deri tani kërkesat e 3 qershorit nga BE-ja e targetojnë veçanërisht nevojën për shtensionim në veri të Kosovës”, theksoi Rohde.

Ndërkaq, homologu i tij francez, ambasadori Guerot, tha se këto masa nuk janë marrë me kënaqësi.

“Nuk do të përsëris atë që Jorn e tha shumë qartë. Dua të theksoj se këto masa nuk janë marrë me kënaqësi, nuk është diçka që jemi të lumtur ta bëjmë. Kosova është një shtet miqësor për Francën, Gjermaninë dhe tërë BE-në dhe nuk i kemi marrë me qejf këto masa, këto masa janë të kthyeshme dhe mezi po presim të kemi mundësi t’i largojmë”.

“Për të ndodhur kjo duhet të ndërmerren disa hapa, të cilët nuk janë shumë të vështirë. Po flasim për hapa shtensionues, po flasim për nisjen e një procesi për zgjedhje të reja, po flasim për vazhdim të implementimit të një marrëveshjeje, e cila është aprovuar dhe për të cilën ka pajtueshmëri. Pra nuk është diçka e pamundur që këto masa të kthehen mbrapsht dhe kërkesa jonë është: Ju lutem bëjeni në mënyrë që ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë, bashkëpunimin në kontekstin e BE-së dhe bashkëpunimin tonë bilateral”, potencoi ambasadori i Francës në Prishtinë, Oliver Guerot.

/GazetaSinjali/