image Rizvanolli: Po përflitet për raste që me qëllim janë ndalur blloqet e prodhimit të rrymës

Politikë

Rizvanolli: Po përflitet për raste që me qëllim janë ndalur blloqet e prodhimit të rrymës

news image

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se përflitet se ka pasur raste, kur është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara.

Sipas saj, një gjë e tillë ka mundur të ndodh edhe gjatë verës dhe siç thotë ajo ka pasur raportim në polici për këtë çështje.

 “Ka pasur raste në të kaluarën kur është përfolur që edhe për arsye se dikujt i konvenon që blloku të ndalet e të ndizet prapë për shkak të lëndës së parë që duhet të blihet shtesë, përflitet ose janë thashetheme që nuk mund t’i them me saktësi, që janë ndalë blloqet për shkak të neglizhencës, ose gabimit njerëzor me qëllim, ka ardhur deri te ndalja e një blloku në mënyrë që të ketë përfitime të tilla. Ne në fakt kemi pasur një dyshim, në radhë të parë te Bordi i KEK-ut, që një gjë e tillë ka mundur të ndodhë edhe gjatë verës dhe ka pasur raportim në polici dhe në hetuesi në të kaluarën”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo deklaroi se Kosova ka tejkaluar çmimin e importit të energjisë elektrike për vetëm dy muaj. Sipas saj, vetëm për periudhën nëntor-dhjetor, për importin e rrymës janë harxhuar mbi 12 milionë euro.

 “ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milion për import”, ka thënë Rizvanolli.

/GazetaSinjali/