image Rizvanolli për gazsjellësin: Kosto do të kishte qenë e lartë dhe nuk kemi pasë vlerësim të saktë

Politikë

Rizvanolli për gazsjellësin: Kosto do të kishte qenë e lartë dhe nuk kemi pasë vlerësim të saktë

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thotë se kosto e projektit për gazsjellësin do të kishte qenë e lartë dhe se nuk ka pasur vlerësim të saktë. Ajo tregoi se nga investitorët të cilët janë intervistuar për investime potenciale, disa nuk kanë shprehur interesim për investim fare.

Po ashtu, ajo ka thënë se e kanë pasur të paqartë se çfarë efekti do të kishte kjo në çmimet për konsumatorët.

Sipas saj, në disa parallogaritje që kanë bërë ka dalur se 40 euro është çmimi vetëm për një megawat, që i bie 30 për qind më shtrenjtë se kostoja aktuale.

Rizvanolli ka thënë se Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht. Kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën.

 “Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë e cila është paraparë nga investimi për Kosovën, grand nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj. Kjo kosto kontigjencën e ka pasur 20 për qind që do të thotë ka mundur të shkojë deri në 455 milionë dollarë. Nuk ka qenë i qartë efekti në çmimet për konsumatorët. Sipas disa përllogaritjeve, 40 euro për një megawat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit që është më e shtrenjtë 30 për qind se kosto aktuale. Është pritur që së paku dy herë të rritet çmimi i kostos. Ndërsa, investitorët që janë intervistuar, disa prej tyre nuk kanë shprehur interesim për investim. Investitorët që kanë treguar interesim kanë treguar interesim me kushte të pafavorshme. Kanë kërkuar kthim të investimit për vetëm 10 vite, kanë kërkuar një marrëveshje për blerje për 10 vite”, ka deklaruar ajo.

“Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht. Kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën. Energjia është përzgjedhur si sektorë për arsye se në vitin 2016 MCC  ka bërë së bashku me Qeverinë e Kosovës një hulumtim i cili ka treguar se energjia është  sektor problematik që përbën një pengesë për zhvillim ekonomik në Kosovë. Ka mundur të ketë edhe projekte tjera, qeveritë e kaluara e kanë përzgjedhur infrastrukturën e gazit si opsionin më të mirë sipas tyre. Projekti i dizajnuar nga qeveritë e kaluara dhe MCC ka paraparë që gazsjellësi Shkup-Prishtinë, një gyp transmisioni me kosto 104 milionë dollarë të ndërtohet me kredi nga BERZH-i dhe Grand WBIF. 80 për qind kredi nga BERZH-i që do ta merrte Qeveria e Kosovës dhe 20 për qind nga Grand WBIF”, ka shtuar ajo. /Gazeta Sinjali/