Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka deklaruar se krijimi i mundësive të reja për përfshirjen dhe fuqizimin e grave është prioritet ndërsektorial i Qeverisë.
Rizvanolli ka thënë se me gratë lidere gjatë forumit kanë biseduar për politikë-bërjen, akademinë për mbrojtjen e mjedisit në panelin “Sfidat urgjente të agjendës së GPS: Integrimi i ndryshimeve klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave”.
“Krizat botërore me të cilat jemi duke u përballur gjatë viteve të fundit, ato shëndetësore, ekonomike e energjetike janë duke i sjellë në pah edhe më tej pabarazitë dhe e bëjnë ta qartë që ato duhet të adresohen sa më parë”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë tutje është shprehur se përmes krijimit të mundësive konkrete për gra në sektor të energjisë, synimi i tyre nuk është vetëm të rrisim përqindjen e grave të punësuara në sektor të energjisë, por edhe të rrisin produktivitetin e suksesin e sektorit dhe sipas saj krijimi i mundësive të tilla është prioritet i punës së tyre.
“Në Strategjinë e Energjisë kemi përfshirë trajnim të grave në fusha që ndërlidhen me energjinë, si dhe kemi planifikuar të investojmë në aftësitë e grave në përputhje me kërkesat e një sektori dinamik. Deri në vitin 2031 synojmë që përfshirja e grave në sektor të jetë 25%. Shifër e cila aktualisht është vetëm 9%”, ka thënë Rizvanolli.