Komandanti i KFOR-it, Michele Ristuccia, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës, ka mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Ristuccia në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ka thënë se situata pas këtij sulmi është më e qetë, por s’është e qëndrueshme.
“Pas sulmit ndaj policisë kosovare të dielën e kaluar, situata tani në dukje është më e qetë, por mbetet thellësisht e paqëndrueshme. Ajo që ndodhi rriti mosbesimin mes palëve, kjo kushtëzon perceptimin e fakteve dhe rrjedhimisht sjelljen në terren”, ka thënë Ristuccia.
Ai tha se nuk ka zgjidhje ushtarake të situatës, por se duhet të rindërtohet besimi.
Komandanti italian i KFOR-it ka kritikuar institucionet e Kosovës për mosdëgjim të këshillave.
“Autoritetet e Prishtinës nuk i përfillën këshillat dhe ne duhej të paguanim pasojat”, tha ai.