image Ristuccia i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të kthehen në dialog: Situata mund të bëhet më e paqëndrueshme

Siguri

Ristuccia i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të kthehen në dialog: Situata mund të bëhet më e paqëndrueshme

news image

Komandanti në shkuarje i KFOR-it ka thënë se situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo “nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake”.

“Dy palët duhet të ulen në tavolinë negociuese. Prandaj e mbështesim dialogun. Besojmë plotësisht në përpjekjet diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë”.

I pyetur për mundësinë e ndërtimit të bazës së re ushtarake në Kosovë, Ristuccia, ka thënë se nuk sheh nevojë për diçka të tillë.

Ai ka rikujtuar se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e zonës kufitare të Kosovës me Serbinë dhe ka forca të angazhuar përreth saj, mirëpo që tereni problematik – kryesisht malor – lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta.

I pyetur se si ka arritur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës, komandanti i KFOR-it ka thënë se ende janë duke u bërë hetime, mirëpo marrë parasysh sasinë dhe llojin, dihet që qëllimi i sulmit ka qenë destabilizimi.

“Situata pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë rreth 570 zyrtarë policorë, e ka krijuar një vakum shumë të rrezikshëm në veri. Kjo pasiguri përbën shqetësim për ne. Prandaj bëjmë thirrje për ulje të menjëhershme në tavolinën e negocimit”, ka thënë Ristuccia, duke e vënë theksin te nevoja e riintegrimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

Serbët në Kosovë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

/GazetaSinjali/