Falë një bashkëpunimi midis Universal Music Group dhe Sugar, kolonat zanore të epokës së artë të kinematografisë italiane kanë marrë sërish jetë.
Ata kanë vendosur që t’i ripërpunojnë meloditë e famshme, një dhuratë për gjeneratën e re dhe të gjithë artdashësit.
Mbi 20,000 kolona zanore historike, që vijnë nga filma si “La Dolce Vita”, “Amarcord”, “Il Gartopardo” dhe kompozime te ndryshme nga artiste si Ennio Morricone do të riprezantohen dhe shpërndahen me anë të “Decca Records”.
Nën këtë bashkëpunim, seksioni italian i Universal, gjithashtu, do të shpërndajë regjistrime nga lista e gjerë e këngëtarëve kontemporanë të Sugar, si banda e mirënjohur pop-rock Negramaro dhe artisti pop-jazz Raphael Gualazzi.
“Të kesh vetëm një zgjidhje unike për shpërndarjen e gjithë regjistrimeve që bëjnë pjesë në platformën Sugar, ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për ne. Për momentin, ne po mundohemi të zgjerojmë audiencën dhe shikueshmërinë në territore të reja”, shprehet Filippo Sugar, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së vjetër të muzikës italiane.
Universal dhe Sugar kanë bashkëpunuar shpeshherë në projekte të mëparshme, duke përfshirë një performancë live nga tenori italian Andrea Bocelli, që ndodhi gjatë pashkëve të këtij viti. Tenori performoi për katedralen e boshatisur Duomo në Milano, për shkak të përhapjes së pandemisë. /Gazeta Sinjali